"Kuvendi i thirrur nga Basha do ta thellojë krizën në PD", Murati: Kuvendi i 11 dhjetorit konfirmoi mbështetjen që ka Berisha

Ditën e sotme, 14 dhjetor ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është prangosur pas një kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të miratuar edhe nga Gjykata. Ai akuzohet për vepra penale të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ndërkohë në kampin opozitar prej datës 9 shtator, ka filluar një "luftë" mes Berishës dhe Bashës.

Por a e zbeh kjo luftë e brendshme e PD-së vëmendjen nga aferat e mëdha korruptive?

Gazetari Eri Murati i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se "lufta" mes Berishës dhe Bashës nuk e ka sfumuar vëmendjen nga aferat e mëdha të cilat janë denoncuar edhe më herët nga opozita.

Murati: Para se të plaste lufta Basha-Berisha nuk është se drejtësia po bënte ndonjë gjë të madhe. Në përgjithësi politika u kthye në një kënetë menjëherë pas fitores së 25 prillit. Gjithçka vijoi në një qetësi absolute. Ne jemi dëshmitarë që vetëm 2 muaj pas zgjedhjeve, Basha u zgjodh kryetar i PD-së me 80% të votave. Nuk është se kjo ngjarje (lufta Basha-Berisha) ka shërbyer për të eklipsuar ngjarje të tjera të mëdha, por padiskutim që kjo është ngjarja kryesore politike gjatë ditëve dhe muajve të fundit sepse i përket partisë më të madhe opozitare.

Ky është një lajm i keq jo vetëm për PD-në, por edhe për shoqërinë sepse ne jetojmë në një vend dhe politikë të korruptuar dhe nuk e kemi luksin mos kemi opozitë. Që të kemi një pluralizëm të shëndoshë, duhet të kemi një opozitë të shëndoshë. Unë nuk mendoj se partitë janë pasuri kombëtare, unë mendoj se pluralizmi është pasuri kombëtare.

Për sa i përket zgjidhjes së krizës brenda PD-së, Murati u shpreh se ky është një proces që do të kërkojë kohë.

Murati: Fakti që PD po hahet me veten dhe projektorët e opozitarizmit nuk janë drejtuar nga qeverisja nga mënyra se si po e drejton vendin kryeministri dhe Rama, por projektorët janë kthyer nga vetja, kjo nuk është e mirë për pluralizmin. Aktualisht ne në këtë vend nuk kemi opozitë. Është një krizë që do ët zgjasë dhe nuk mendoj që Kuvendi i thirrur nga Basha më 18 dhjetor do të zgjidhë diçka në këtë drejtim, madje besoj që do ta thellojë krizën në PD. Berisha bëri demonstrim force më 11 dhjetor, besoj që të njëjtin demonstrim force mund ta bëjë dhe Basha dhe ne do jemi në një kaos. Unë nuk besoj që dhjetori do jetë muaji i zgjidhjes së krizës në PD, do vijojë dhe vitin e ardhshëm.

Për Muratin, "Kuvendi i 11 dhjetorit konfirmoi fuqinë që ka Berisha te demokratët."

Murati: Nuk kam pasur asnjë dyshim për mbështetjen që ka Berisha te baza demokratike.

Murati u shpreh se për sa kohë partitë politike nuk do të aplikojë rrotacionin dhe nuk do të jenë demokratike, demokracia shqiptare do të ketë sëmundje të rënda dhe ne do jemi në çdo raport ndërkombëtar një nga vendet më të korruptuara dhe të varfra të botës.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku