Rama mbron "bashkëqeverisjen", kryeministri: Nga janari të gjitha shërbimet online, s'ka më ryshfet

Në vijim të takimeve për ligjin e ri për bashkëqeverisjen, kryeministri Edi Rama është ndalur këtë të martë, 14 dhjetor  në Berat, prej ku ka ripërsëritur se nga janari i vitit të ri nuk do të ketë më sportele. Kryeministri Rama u shpreh se qytetarët nuk do të rrinë të presin nëpër sportele apo të fusin dorën në xhep për të dhënë ryshfet, që të marrin shërbimet, pasi këto të fundit do t’i marrin përmes telefonit.

Nga Berati, ku prezantoi sistemin e ri të shërbimeve digjitale dhe ligjin për Bashkëqeverisjen,  kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Bashkitë se do të ketë sanksione në rast se nuk do t'i përgjigjen në kohë ankesave të qytetarëve.

Rama u shpreh se Bashkitë kanë një indiferencë të madhe ndaj qytetarëve, por se tashmë kthimi i përgjigjes do të jetë edhe një detyrim ligjor.

Rama: Platforma ka adresuar 52 mijë ankesa, nuk janë pak, por janë shumë më pak se sa duhet të jenë. Mua më kujtohet që në bahskinë e Tiranës ne ndërtuam një sistem të ri të trajtimit ët letrave sepse gjithmonë e kam pasur këtë shqetësim që institucionet që nuk i përgjigjen qytetarëve nuk janë të denja për shtetin ,për vendin, për shoqërinë. Pastaj sa zgjidhen dhe sa nuk zgjidhen nga ato për të cilat qytetarët i drejtohen një institucioni, kjo nuk varet vetëm  nga institucioni. 52 mijë ankesa nuk janë shumë po të kemi parasysh që vetëm në bashkinë e Tiranës kishte mesatarisht 90 mijë letra që vinin çdo vit me lloj-lloj kërkesash dhe ankesash. Nga ana tjetër 52 mijë nuk janë të gjitha ankesat që kanë ardhur, kanë ardhur pothuajse dyfish.

Për t'i dhënë fund korrupsionit, Rama thekson se qytetarët duhet të ndryshojnë mendësinë se gjërat zgjidhen me miq e duke futur shokë, duke i bërë thirrje të ankohen nëse nuk marrin shërbimin e duhur.

Rama: Mjafton të bëhet aplikimi përmes telefonit apo kompjuterit dhe të gjitha ato dokumente nga zyrat e shtetit i merr për ty ai shërbim ët cilit ti i kërkon dokumentin. Kjo do të thotë një transformim rrënjësor i marrëdhënieve të qytetarit me shërbimet me dokumente të shtetit.

Edhe njëherë, Rama theksoi se nga janari 2022 do të mbyllen të gjitha sportelet që shërbimet e tyre i kanë online.