Moti i keq, Meta: U bëj thirrje institucioneve shtetërore të angazhohen për sigurinë e jetës dhe të pronës
Lidhur me situatën e vështirë që është krijuar në disa qarqe të vendit nga moti i keq ka reaguar edhe presidenti i republikës Ilir Meta.
Ai ka kërkuar që të ketë vëmendje të veçantë për këtë situatë dhe të merren masa për zonat e përmbytura dhe të bllokuara nga dëbora.
Meta shton se duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bën thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.
Meta: Jam duke ndjekur me vëmendje të veçantë situatën kritike të krijuar, si pasojë e motit të keq dhe masat që po merren për tejkalimin e saj në disa zona të përmbytura dhe të bllokuara nga reshjet e borës. Jam informuar se situata paraqitet më problematike në Qarkut e Fierit, sidomos në njësinë administrative Levan, fshatin Ferras, ku janë evakuuar 15 familje dhe qindra hektarë tokë bujqësore, ndodhen nën ujë. Përmbytje të shumta ka edhe në Qarkun e Vlorës, sidomos në zonën e Mifolit ku sipërfaqja e përmbytur e tokës bujqësore i kalon mbi 1200 hektarë, ndërkohë që shumë fshatra në Lumin e Vlorës rezultojnë të izoluara.
Gjithashtu në Veri, Veri-Lindje dhe Jug-Lindje të vendit shumë zona rezultojnë sot të bllokuara nga reshjet e shumta të borës. Problematik është fakti se ashtu si në të kaluarën, autoritetet e Mbrojtjes Civile dhe Prefekturat nuk e kanë njoftuar më herët popullatën në zonat me risk të lartë, lidhur me parashikimin e hershëm sipas IGJEUM, që prej ditësh ka njoftuar autoritetet shtetërore në lidhje me parashikimin e motit. Duke u solidarizuar me banorët e prekur nga pasojat e motit të keq, u bëj thirrje të gjithë institucioneve përgjegjëse shtetërore të angazhohen maksimalisht për sigurinë e jetës dhe të pronës.

