Mot i keq me shi dhe dëborë në të gjithë vendin, ja akset më problematike

Për shkak të motit të keq në fundjavë situata rrugore sa u përket rrugëve kombëtare ka shfaqur probleme.

Kështu, aksi Peshkopi-Burrel-Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi gjatë gjithë natës kanë punuar 6 mjete borëpastruese.

Aksi Klos-Qafë Murrize-Tiranë (rruga e Arbrit) kalohet me vështirësi me zinxhirë në by-passin e Murrizit, për shkak se ka mbi 30 cm borë, edhe aty po punojnë 4 mjete borëpastruese.

Aksi ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd  kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë nga Klenja deri në Steblevë pasi trashësia e borës shkon në 80 cm.

Aksi Qafë Bualli - Krastë kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë.

Aksi Peshkopi - Kala e Dodës - Kukës kalimi është me vështirësi me zinxhirë, trashësia varion deri në 80 cm në pikën më të lartë të segmentit.

Aksi Peshkopi - Qafë Draj - Kukës kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë

Nga situata e vështirë me reshjet ka pasur probleme me energjinë elektrike, në disa Njësi Administrative, si Lura, Selishta, një pjesë e Kalasë së Dodës dhe Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit dhe fshatrat e Tërnovës.