Goditet linja e kanabisit Shqipëri-Greqi, 5 në pranga, ngarkesa e fundit e kapur 73 kg, në total u bllokuan 187 kg

Anëtari i pestë i një grupi kriminal të dyshuar për trafik droge nga Shqipëria drejt Greqisë ra në pranga në një aksion të fundit të zhvilluar nga SHCBA dhe policia. I dyshuari u kap me 73 kilogramë drogë në makinë ndërkohë që më parë janë vënë në pranga edhe katër anëtarë të këtij grupi që në total ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë 187 kilogramë lëndë narkotike.

Një rrjet i trafikimit të drogës nga Shqipëria në Greqi përmes Kapshticës është goditur së fundi nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe policia duke vënë në pranga pesë persona. Person ii fundit që ra në pranga është Gjergji Mullanjin nga Korça, pasi në makinën e tij tip “Mazda”, u gjendën dhe sekuestruar 61 pako me drogë me një peshë të përgjithshme prej 73 kilogram e 400 gramë hashash. 

Kapja e kësaj sasie droge, e çon në 187.4 kilogramë peshën totale të lëndës narkotike të kapur brenda në kuadër të këtij hetimi pasi një muaj më parë të njëjtit grup ju kapën në Gorricë 114 kg drogë. I arrestuari Gjergji Mullanji, rezulton të ketë qenë në ndjekje prej më shumë se dy muaj nga strukturat e antidrogës.  Ndërsa hetimet kanë provuar se ai ishte korrier, i grupit të arrestuar në 7 nëntor 2021 në doganën e Gorricës, ku në pranga ra avokati Joni Mosku dhe tre persona të tjerë si, Ligor Romançka me pseudonimin “Golja”, Idriz Manej me pseudonimin “Shkodrani” ose “Gjyshko”, Albion Çiko.

Gjatë operacionit të nëntorit, u shoqërua dhe babai i Albionit, Andrea Çiko, me pseudonimin “Turi Spatka”. Policia e Korçës, kishte marrë informacion se ky person në bashkëpunim edhe me personat e mësipërm dhe individë që ende nuk janë arrestuar, kryenin trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi. Automjeti tip “Mazda” në pronësi të Mullanjit, ishte modifikuar në servisin e Albion Çikos, pikërisht për të futur sasinë e drogës në pjesën e shasisë. 

Në këtë operacion janë përfshirë dhe oficerë të SHÇBA-së Korçë, pasi dyshohej se kishte dhe policë të pikës së kalimit Kufitar të Kapshticës,të implikuar në këtë rast të trafikut të drogës. Por gjatë veprimeve hetimore, është qartësuar se policët e kësaj pike kufitare, s’kanë pasur lidhje me këtë rast, pasi kanë ndjekur procedurat rigoroze të verifikimit të dokumentacionit për Gjergji Mullanjin.

Hetimet ndaj këtij grupi vijojnë nga policia, pasi dyshohet se ka dhe persona të tjerë të implikuar që ende nuk janë arrestuar