Dëbora ‘pushton’ Dibrën, probleme në qarkullim, ja situata në akset rrugore
Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën. Reshjet kanë rënë pa ndërprerje gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe vijojnë ende.
Trashësia në qytetin e Peshkopisë shkon në 20 cm, ndërsa në zona të thella kalon mbi 80 cm. Të bllokuara janë rrugët që lidhin qytetin e Peshkopisë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshatrat e Kalasë së Dodës, Sllovës, Luznisë dhe një pjesë e fshatrave të Tominit dhe Melanit.
Situata rrugore sa u përket rrugëve kombëtare është problematike.
Aksi Peshkopi-Burrel-Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi gjatë gjithë natës kanë punuar 6 mjete borëpastruese.
Aksi Klos- Qafë Murrize-Tiranë (rruga e Arbrit) kalohet me vështirësi me zinxhirë në bay-pasin e Murrizit, për shkak se ka mbi 30 cm borë, edhe aty po punojnë 4 mjete borëpastruese.
Aksi ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë nga Klenja deri në Steblevë pasi trashësia e borës shkon në 80 cm.
Aksi Qafë Bualli - Krastë kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë.
Aksi Peshkopi - Kala e Dodës - Kukës kalimi është me vështirësi me zinxhirë, trashësia varion deri në 80 cm në pikën më të lartë të segmentit.
Aksi Peshkopi - Qafë Draj - Kukës kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë
Nga situata e vështirë me reshjet ka pasur probleme me energjinë elektrike, në disa Njësi Administrative, si Lura, Selishta, një pjesë e Kalasë së Dodës dhe Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit dhe fshatrat e Tërnovës
