Berisha: Sot nuk është koha e dyshimit, por e veprimit, ju ftoj të gjithë në PD, shtëpinë tonë

Një ditë pas Kuvendit Kombëtar të PD-së, i cili votoi në unanimitet shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së, lideri historik i kësaj partie, Sali berisha i bën thirrje demokratëve që sot është koha e veprimit dhe jo e dyshimit. Pas këtij mesazhi të ish-kryeministrit Berisha do të reagonte dhe Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili theksoi se PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një mesazh të fortë një ditë pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD, në stadiumin “Air Albania”.

Përmes rrjeteve sociale Berisha thekson se përmes Kuvendit të PD iu dha përgjigje dinjitoze e madhështore kundërshtarëve të tij.

Ndërsa iu bën thirrje demokratëve të bashkohen në atë që ai e quan “shtëpia e kontributeve, sakrificave dhe idealeve të përbashkëta, Partinë Demokratike”.

Mesazhi i Berishës:

Kohët e fundit kanë qenë të mundueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike. E di që shumë prej jush kanë dyshuar, ndoshta edhe janë trembur për shkak të fushatës së fuqishme linçuese që është mbajtur kundër personit tim dhe lëvizjes së Foltores. Megjithatë, ne të gjithë së bashku, Delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga Delegatët. Sot nuk është më koha e dyshimit, sot është koha e veprimit. Ju pres të gjithëve në shtëpinë e kontributeve, sakrificave dhe idealeve tonë të përbashkëta, Partinë Demokratike, për të vazhduar betejën kundër së keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur. Me nderim të veçantë për kontributin e secilit prej jush, Sali Berisha!

Pas këtij mesazhi të ish-kryeministrit Berisha do të reagonte dhe Lulzim Basha, i cili theksoi se PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush, as nga ai që sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, në lufte të hapur me SHBA.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, Sot Këshilli Kombëtar mblidhet në ora 15:00 për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e Partisë Demokratike. PD nuk do të mbahet peng dhe nuk do të tërhiqet zvarrë nga askush! As nga ai që sot po rrezikon të ardhmen e demokratëve për interesin e tij personal, në luftë të hapur me SHBA. Askush, përfshirë Sali Berishën, nuk do të ketë shansin të kërcënojë demokratët në shtëpinë e tyre. PD që u themelua si shtëpia e lirisë, nuk do të shndërrohet në bunker për askënd, as sot as kurrë. Ne do vazhdojmë të çliruar dhe të vendosur betejën tonë kundër regjimit të Edi Ramës për ta sjellë në pushtet Partinë Demokratike, që është shpresa e vetme e shqiptarëve për të ardhmen dhe për ndryshim! Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha”, shkruan Basha.