Kuvendi i PD në “Air Albania” shfuqizon vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës, statuti i ri: Kryetari ikën nëse humb zgjedhjet

Statuti i ri i dale nga Kuvendi i PD në “Air Albania”: Kryetari ikën nëse humb zgjedhjet

Kuvendi kombëtar i PD-së i mbledhur më 11 dhjetor 2021 nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij në “Air Albania” miratuan statutin e ri të PD-së me 67 nene. Gjithashtu u anulua dhe vendimi i Bashës për shkarkimin e Berishës nga grupi i PD-së.

Ky statut do të miratohet në Kuvendin e 22 marsit 2022.

Në dokumentin me 67 nene shkruhet se kryetari I Partisë shkarkohet nëse humbet zgjedhjet parlamentare. Nëse humbet zgjedhjet vendore drejtuesi i partisë do të votëbesohet me votë të fshehtë në kuvend kombëtar.

Kryetari qëndron në detyrë nëse merr votën e 70 % të anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim.

Statuti i ri rikthen primaret në parti, nga baza drejt qendrës, legalizon fraksionet si dhe ul numrin e anëtarëve të organeve drejtuese. Anëtarët demokratë do të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre për çështje të rëndësisë së veçantë përmes referendumit që mund të thirret nga Kuvendi, kryesia e jo më pak se 7 mijë firmëtarë të partisë.