Berisha thirrje skeptikëve brenda PD: Dera e Kuvendit e hapur, mos shkoni pas të pabesit që ju çon nga disfata në disfatë


Ish-kryeministri Sali Berisha pati një thirrje të posaçme për skeptikët brenda PD për lëvizjen politike.

Ai tha se dera e Kuvendit të Foltores mbetet e hapur për ta dhe i apeloi të mos ndjekin drejtuesin e partisë që kalon nga disfata në disfatë.

Berisha: I garantoj se mbetemi të hapur për ta, ky Kuvend është dhe i tyre, kontributi i tyre do të mbetet gjithmonë i çmuar. Le të bashkohemi, të mos shkojmë pas atij që e konsideron partinë si pronë personale, të mos shkojmë pas njeriut që nuk ka asnjë normë përveç pabesisë, të mos shkojmë pas drejtuesit që kalon nga disfata në disfatë, nga humbja në humbje, nga dështimi në dështim. Demokratët dhe demokratët meritojnë fitore, të ardhme. Fitore. Rroftë PD e rithemeluar, rroftë Shqipëria.

Ndërkaq duke ju drejtuar diasporës, Berisha akuzoi qeverinë Rama për qëndrim armiqësor ndaj saj dhe i garantoi se rikthimi në pushtet i PD do të garantojë të drejtën e votës për ta.

Berisha: Qëndrim armiqësor mban narkoshteti shqiptar ndaj emigracionit të daisporës sonë e cila në të gjitha aktet e mëdha të historisë ka luajtur një rol parësor. Por edhe këto 30 vite ka qenë aksioneri më madhor në ndërtimin dhe rindërtimin e Shqipërisë dhe arritjeve që kemi. I përshëndes përfaësuesit e tyre që kanë ardhur nga katër anët e Europës dhe SHBA.

I garantoj se Shqipëria në qeverisjen e ardhshme të PD do rivendosë të drejtën e votës si gjithë vendet e tjera të qytetëruara për ata. Shqipëria do të mbetet jo vendi i dytë por gjithmonë vendi i parë më i dashur dhe më i çmuar për ata. Do bëjmë gjithçka për një kuadër ligjor që mundin, djersën, investimet e tyre ti sjellin në Shqipëri, ekspertizën e tyre të çmuar ta japin për vendin e tyre.Jemi para detyrave të mëdha, këto detyra kërkojnë para së gjithash rikthimin e lirisë në PD, bashkimin tonë.