Nishani paralajmëron: Kuvendi i PD, prelud i tronditjes totale të politikës
Ish-kreu i Këshillit të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, në fjalën e tij në Kuvendin e PD tha se lëvizja politike e Berishës ka rikthyer shresën dhe besimin e humbur jo vetëm te demokratët por mbarë shqiptarët.
Nishani theksoi se ky Kuvend që vuri në lëvizje PD është vetëm preludi i tronditjes totale të politikës shqiptare.
Nishani: Gjatë këtyre 30 viteve kjo parti ka kaluar përmes procesesh dhe dinamikash politike nga më të ndryshmet.Ka qeverisur vendin por ka dalë dhe në opozitë, e ka ndërtuar këtë vend por ka qenë dhe në protesta. Ky është një denoncim i qeverisë më të inkriminuar dhe të korruptuar.Hajnia qeveritare nuk ka asnjë frikë sot, as nga ligji dhe as frikë politike. Edhe ligjin dhe opozitën qeveria i ka kapur për fyti dhe i ka futur në xhep.
Demokratët janë këtu, besoj shumë se nga ky vend sot nis një rrugëtim i rëndësishëm, një lëvizje politike që ka shkaktuar jo vetëm lëvizjen e merituar brenda PD por ka zgjuar interesin e gjithë shoqërisë shqiptare. Mes demokratësh dhe socialistësh, qytetarët të angazhuar në jetën poltike dhe atyre të paafiluar në jetën politike ka vetëm një diskurs, vëmendje dhe debat. Kudo flitet për Foltoren dhe lëvizjen e PD.
Ky Kuvend është vetëm preludi i tronditjes totale të politikës shqiptare, të politikës që ka humbur çdo besim, shpresë dhe seriozitet te marrëdhëniet me publikun. Foltorja ka dhënë besim dhe shpresë.Po ju konfirmoj se në gjithë eksperiencën time personale shtetërore qoftë si ministër i Brendshëm, i Drejtësisë dhe President i Republikës kam konstatuar qartë dhe pa ekuivok karakterin dhe dimensionin e ndershmërisë dhe integritetit të lartë të Sali Berishës si shtetar, bashkëpunëtor dhe politikan i këtij vendi. Prej sot qytetarët e këtij vendi, demokratët dhe çdo kush tjetër kanë pritshmëri shumë të larta ndaj reforma tona. Modelit që do ndërtojmë brenda vetes dhe ai që do tu prezantojmë shqiptarëve si alternativë qeverisëse. Ditët që vijnë janë prova e madhe për ne dhe çdo demokrat.
Nga sot PD rikthehet në një opozitë të vërtetë dhe opozita rikthehet në punë. Shqiptarët do të kenë një alternativë reale qeverisëse, alternativën e demokratëve, qendrës së djathtë, partisë konservatore të këtij vendi që mbështet në dy vlera të panegociueshme, lirisë dhe integritetit. Kryetari i qeverisë aktuale dhe kukulla e tij e derisotme në selinë e PD kanë bërë një gabim fatal në kalkulimin politik të jetës së tyre, demokratët e këtij vendi nuk e dorëzojnë as lirinë dhe as integritetin e tyre për asnjë çmim.

