Kuvendi i 11 Dhjetorit, Qeveria "jep leje". Priten mbi 12 mijë pjesëmarrës

I cilësuar si “dhjetori i dytë” nga demokratët, këtë fundjavë pritet të ketë zhvillime mjaft të rëndësishme për politikën shqiptare, veçanërisht në kampin opozitar.

Të shtunën e 11 dhjetorit do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha I cili do të mbahet në ambientet e stadiumit Air Albania.

Burime pranë kampit të Berishës, bëjnë me dije se pjesëmarrja pritet të jetë e lartë ku veç 5200 delegatëve që kanë firmosur do të kenë edhe një numër të madh pjesëmarrësish të tjerë.

Aktiviteti i demokratëve pritet të nisë prej orës 10:00 dhe do të zgjasë deri në orët e pasdites.

Bëhet me dije se nga organizatorët janë marrë masa që pjesa e delegatëve të jetë e ndarë në tribunë të veçantë nga ajo e mbështetësve demokratë.

Po ashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe respektimit të masave anticovid gjatë punimeve të Kuvendit.

Sa i përket saktësimit të numrit të firmave të pjesëmarrësve është menduar që delegatët të jenë të pajisur me karta të posaçme verifikimi përmes një barkodi identifikimi, të cilët do të ftohen për të votuar shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i selisë blu.

Por a mund të zhvillohet Kuvendi me përmasa të tilla numerike në një kohë pandemie dhe cilat janë masat e ndërmarra nga autoritetet? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha vetë Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi.

““Nuk mund të ndalohen kuvendet. Kuvendet do të bëhen duke respektuar masat që janë në fuqi. Kanë që në 1990 që nuk ndalohen kuvendet e partive ”

Partia Demokratike po përjeton ditët e saj më të vështira që prej krijimit të saj 31 vite më parë, pasi demokratët tashmë janë të ndarë në dy grupime. Dhe fati i Kuvendit të thirrur nga kryedemokrati në detyrë Lulzim Basha do të varet shumë nga pjesëmarrja në Kuvendin e kësaj të shtune.