Moti i keq, apeli i Policisë: Zbatoni rregullat e qarkullimit rrugor, kujdes me shpejtësinë!
Për shkak të motit të keq, me reshje të dendura shiu, në disa akse rrugore ka prezencë të ujit dhe vështirësi në qarkullim.
Policia e Shtetit bën me dije automjetet duhet të moderojnë shpejtësinë dhe duhet të kenë kujdes në rrugë, duke mos shkelur rregullat e qarkullimit.
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit.” – bën me dije policia.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe “Shqiponjat”, janë angazhuar në të gjitha akset rrugore nacionale, qendrat urbane dhe akset kryesore rurale dhe janë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve që mund të kenë probleme, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore.
