Pengesë për zhvillimin, Ambasadat në një zë: Korrupsioni nuk ka vend në shoqëritë tona

Ambasadat e akredituara në Tiranë inkurajojnë institucionet shqiptare që të luftojnë me forcë korrupsionin. Për Gjermaninë, korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha të zhvillimit në të gjithë botën dhe nuk ka vend në shoqëritë tona. Ndërsa SHBA thekson se ky fenomen kërcënon sigurinë dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare.

Në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit nuk kanë munguar mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët inkurajojnë institucionet shqiptare për luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.

Ambasada e Gjermanisë në vendin tonë në mesazhin e saj thekson se korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha të zhvillimit në të gjithë botën dhe nuk ka vend në shoqëritë tona.

Ambasada kujton se prej këtij fenomeni shpërdorohen para publike dhe pengohet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i drejtë ekonomik.

Lidhur me këtë fenomen reagoi dhe ambasada amerikane në Tiranë.

Për SHBA-të korrupsioni është një kërcënim për sigurinë dhe barazinë ekonomike, si dhe një faktor që minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare.

Mes të tjerash, Ambasada thekson se SHBA janë donatori më i madh në botë për mekanizmat kryesorë kundër korrupsionit, për të siguruar që vendet të përmbushin detyrimet e tyre.

Edhe delegacioni i BE në Tiranë ka dhënë një mesazh të fortë në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, teksa thekson se korrupsioni shter burimet jetike të Shqipërisë, ndikon në shtetin ligjor dhe në besimin e publikut tek institucionet, si dhe ngadalëson ndjeshëm zhvillimin ekonomik.