Shkodra me sytë nga Drini! Shtohen prurjet në kaskadë
Moti i keq ka përshirë vendin këtë të enjte. Problematikat kryesore janë shënuar në portin e Durrësit dhe të Vlorës me ankorimin dhe nisjen e tragetëve. Në zonat malore të Shkodrës janë hasur probleme në akset rrugore, ndërsa banorët e Nënshkodrës janë me sytë nga kaskada e Drinit ku nëse prurjet rriten, hapja e portave të shkarkimit është e pashmangshme.
Shqipëria është përfshirë të enjten nga moti keq. Stuhia shkaktoi probleme në qytetet portuale.
Në Durrës tragetet e linjës së Barit u nisën me disa orë vonesë, ndërsa aty deri në orët e mesditës nuk është ankoruar asnjë target i ardhur nga Italia.
Dy tragete që ishin planifikuar të ankoroheshin në në orën 08:00 pritet që të mbërrijnë me vonesë rreth orës 13:00 sipas burimeve nga porti.
Ndërkohë në Vlorë për shkak të erës dhe dallgëve janë pezulluar daljet në det për anijet e vogla, dhe mjetet e peshkimit.
Gjithashtu vonesa kishte edhe trageti i linjës Brindisi-Vlorë, i cili nuk arriti të ankorohej për disa orë.
Nga ana tjetër reshjet kanë shtuar edhe prurjet në kaskadën e Drinit.
Banorët e Nënshkodrës janë me sytë nga qielli pasi nëse shtohen reshjet dhe prurjet dhe vendoset hapja e portave të shkarkimit atëherë përmbytjet janë të pashmangshme.
Të dhënat tregojnë se aktualisht nuk ka gjasë të vendoset një hapje e portave, por asgjë nuk përjashtohet me shtimin e reshjeve.
Problematike aktualisht paraqitet në rrugën e Thethit për shkak të reshjeve të dëborës.
Edhe në juglindje, në aksin Shtyllë-Panarit paraqiten vështirësi dhe problematika në rrugë.
