Kaosi pa zgjidhje i Tiranës, trafiku i rënduar shton orët e punës së kryeqytetasve, problem dhe emergjencat

Trafiku në Tiranë është kthyer në një problematikë tepër të madhe për qytetarët, të cilëve u duhet të dalin 2 orë para për të arritur në kohë në destinacionet përkatëse. Edhe pse ky shqetësim është tepër i madh, ajo që vihet re është mosmarrja e masave nga institucionet përgjegjëse, duke i lënë qytetarët të përballen me kaos dhe stres çdo ditë.

Kaos, zhurmë dhe bori nga humbja e durimit.

Me këtë situatë ndeshesh gjatë pikut trafikut që krijohet në orët 7-9 në mëngjes dhe 4-7 pasdite.

Trafiku në Tiranë vijon që të jetë një problematikë e theksuar ku qytetarëve u duhen me orë jo vetëm për të hyrë në kryeqytet, por edhe për të lëvizur brenda tij. Qytetarët ankohen se presin gjatë në trafik.

"Shumë e vështirë, gjysëm ore në trafik. Për të shkuar në Kinostudio dua edhe një orë e gjysmë."

"20 minuta në trafik."

"Gjysmë ore në trafik."

Kjo situatë është problem edhe për automjetet e emergjencave, veçanërisht ambulancat, të cilat si pasojë e bllokimit të rrugës së dedikuar nuk mund ta çojnë të sëmurin në kohë për të marrë mjekimin e duhur.

Rrugët e bllokuara nuk janë më një fenomen i ri në Tiranën kaotike.

Shkak për këtë situatë është dhe lëvizja pa orar e mjeteve të tonazhit të rëndë, por edhe ndërtimet pa kufi në kryeqytet kanë shkaktuar trafik ditët e fundit.