Financoi me euro, armë e telefon, vrasësit e Regis Runajt dhe “ILI-t” të Elbasanit. Tre akuza për Erjon Alibej

Prokuroria e Posaçme SPAK, i ka dhënë fund hetimeve për çështjen penale kundër, Erjon Alibej, njeriut që dyshohet se ka paguar rreth 100 mijë euro për të ekzekutuar, Emiljano Ramazanin dhe shokut të tij, Regis Runaj.

Vendimi për kalimin e dosjes në gjykatë është marrë nga prokurori i çështjes, duke akuzuar Alibej për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në formën e veçantë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarje në grup të strukturuar kriminal”, raporton Ora News.

Mbi 1 muaj më parë e njëjta prokurori, çoi si të pandehur në gjykatë, dy bashkëpunëtorët e Erjon Alibej alias Agim Shurbi, shtetasit Xhulian Hoxha dhe Euglen Halili.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK dhe prokuroria e Elbasanit, Xhulian Hoxha dhe Euglen Halilin, nuk kanë pasë një motiv të qenësishëm për tu përfshirë si bashkëpunëtorë dhe ekzekutor në dy krimet e lartpërmendura.

I vetmi, që ka pasur një motiv për tu hakmarrë, është personi nën hetim Erion Alibej. “…organizatori i vrasjeve, personi nën hetim Erion Alibej ka arritur të “pajtojë" si bashkëpunëtorë në krimet e vrasjeve Xhulian Hoxhën dhe Euglen Halilin, duke u kujdesur që me këtë të fundit, të mos kishte takime e kontakte të drejtpërdrejta, duke u dakortësuar që kjo do të realizohej nga vetë, Xhulian Hoxha.

Ndërsa Xhulian Hoxha e Euglen Halili, janë joshur nga paratë, që ai u jepte dhe nga premtimi se do të paguheshin mirë në të holla për ndihmën që jepnin në realizimin e vrasjeve, thuhet në dosje.

Para kryerjes se vrasjeve, Xhulianit i janë dhënë nga personi nën hetim Erion Alibej shuma të hollash, armë zjarri e telefon mobile, për të mbajtur kontakte.

Organizatori, Erion Alibej, është kujdesur që shuma të hollash dhe telefon mobile, ti jepeshin edhe vrasësit, Euglen Halilit nga vete Xhuljan Hoxha…”-thuhet në dosjen e prokurorisë së posaçme, siguruar nga Ora News.




Prokuroria thotë se tre të pandehurit së bashku me dy persona të tjerë, që kanë marë pjesë në vrasjen e Emiljano Ramazanit, kanë vepruar si grup kriminal.

Xhuliano Hoxha dhe Euglen Halili në këtë rast kanë qënë vëzhgues të Ramazanit, ndërsa vrasjen e kanë kryer dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar, ku njëri ka shërbyer si shofer tjetri si qitës.

Ndërsa armët që janë gjendur në makinën e djegur rezultuan se nuk ishin përdorur fare në ngjarje. Emiljano Ramazani, ose siç njihet në Elbasan me nofkën “ILI” është qëlluar për vdekje në datën 20 korrik 2020 ndërsa nëntë ditë më vonë, u ekzekutua me thikë dhe shoku i tij, Regis Runaj.

Të dy viktimat ishin shokë me njëri-tjetrin, ndërsa njiheshin në Elbasan dhe si shpërndarës droge. Ekzekutimi i tyre është kryer pasi, Erjon Alibej, dyshonte se Runaj dhe Ramazani, kanë marë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Enea Alibej me nofkën “Tarzani”, dajës së tij dhe një shtetasi turk.