Escobar “pagëzon” kryetarin e PD-së 2 ditë para Kuvendit të “Foltores”, çfarë diskutuan për 10 min kokë më kokë
Dy ditë para Kuvendit të Foltores, Shtetet e Bashkuara njohin si kryetar vetëm Lulzim Bashën, duke e ftuar për vizitë në Uashington. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me Lulzim Bashën foli shkurt por qartë se do të vazhdojë bashkëpunimin me Partinë Demokratike, ndërsa rëndësinë e vuri tek lufta kundër korrupsionit duke përmendur sanksionet.
Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Ballkanin Perendimor, Gabriel Escobar, nuk e kurseu mbështetjen e hapur për Lulzim Bashën vetëm 2 ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha për shkarkimin e tij.
Gabriel Escobar: Pres me kënaqësi të zhvilloj takime të tjera pasdite dhe gjithashtu pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington së shpejti.
Escobar i shoqëruar edhe nga ambasadorja Yuri Kim, qëndroi rreth 60 minuta në zyrën e Bashës, i cili shoqërohej nga 4 nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Por burimet i thanë Rtv Ora se brenda këtyre minutave Basha dhe Escobar kanë qëndruar dhe kanë folur në privatësi më shumë se 10 minuta.
Zyrtari i lartë amerikan kërkoi përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare kundër korrupsionit, e këtu përmendi edhe sanksionet.
Gabriel Escobar: Jam gjithashtu i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare.
Pasi përcolli zyrtarin e lartë të Shteteve të Bashkuara, Lulzim Basha, tha se objektivi i Partisë Demokratike ka qenë dhe mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Lulzim Basha: Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i SHBA, është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë, është ajo për të cilën PD ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite, nga iniciativa për dekriminalizimin e politikës, miratimi i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, te ligji për SPAK dhe BKH, iniciativa për vettingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar.
Të gjitha dëshmojnë se PD ka qenë dhe është e vendosur në luftën kundër korrupsionit që është kyçi për zgjidhjen e problemeve që ka sot Shqipëria. Është kënaqësi të shohim një rikthim të fuqishëm si prioritet të parë dhe kryesor të SHBA në Ballkan dhe Shqipëri të një beteje që e kemi luftuar për vite me radhë.
Me Escobar diskutuam për të gjtha çështjet e aktualitetit politik shqiptar, natyrisht dhe për situatën në rajon me theks të veçantë për ato çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, në veçanti me Kosovën. Ja bëra të qartë Escobar qëndrimin e PD për pacënueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në këtë qëndrim kam marrë mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të Escobar.
Diskutuam dhe për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e reformave ku kyç mbetet një drejtësi e pavarur që nuk mbron por ndëshkon politikanët e korruptuar, PD ka disa iniciativa kushtetuese dhe ligjore duke përfshirë vettingun e politikanëve dhe shumë shpejt ashpërsimin e dënimit për politikanët e zgjedhur me votat e krimit."
Por a u diskutua me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit çështja “non grata“ e Sali Berishës? Lulzim Basha dha këtë përgjigje për mediat.
Lulzim Basha: Çështja e pandëshkueshmërisë sikurse politikat e sanksioneve non grata ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të DASH jam i bindur se do të keni mundësi të dëgjoni drejtëpërdrejtë nga Escobar qëndrimet e DASH.

