“Lufta” në PD shtyn zgjatjen e mandatit të komisioneve të vettingut, Balla: Kemi kohë deri në maj

Socialistët nuk do t’i bëjnë presion demokratëve për të miratuar zgjatjen e mandatit të organeve të drejtësisë. Kreu i grupit të mazhorancës në një deklaratë për mediat nënvizoi faktin se ndryshimet kushtetuese kanë afat deri në maj, duke nënkuptuar se deri në pranverën e ardhshme PD do të ketë zgjidhur edhe çështjen për drejtimin e saj.

Lufta e brendshme në Partinë Demokratike mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka detyruar mazhorancën ta shtyjë për vitin tjetër zgjatjen e mandatit të organeve të drejtësisë.

Socialistët nuk do të nxitojnë për të ndryshuar Kushtetutën  brenda dhjetorit, madje me një gjuhë të zbutur kreu i grupit socialist Taulant Balla nëpërmjet mediave u kërkoi demokratëve që të mos ndihen në presion por të marrin kohën e duhur për të zgjidhur hallet e tyre në parti.

Balla: Askush nuk mund ta vendosë në presion afatesh grupin parlamentar të PD, do marrë kohën e vet.  Çështjet e brendshme të një partie janë çështje të asaj partie. Me rëndësi është puna dypartizane në Kuvendin e Shqipërisë.

Kreu i grupit parlamentar, Tualant Balla, tha se Kuvendi e ka të detyrueshme të presë opinionin zyrtar të Venecias dhe më pas të procedojë sipas procedurave parlamentare.

Balla: Nuk varet në dëshirën time dhe të shumicës. Është procedurë parlamentare, e karakterit teknik. Kuvendi ka kohën e nevojshme përpara për ta diskutuar dhe marrë në shqyrtim deri në muajin maj kur i përfundon afati.  Kuvendi  ka një axhendë të përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, në këtë axhendë është ndërthurur dhe opinioni i Venecias që pritet të miratohet nesër dhe pasnesër në seancën plenare të Komisionit të Venecias. Kuvendi është i detyruar të presë raportin përfundimtar zyrtar të Komisionit të Venecias. Procedura parlamentare parashikon dhe disa afate nga momenti i miratimit të raportit deri në prezantimin në seancë plenare.

 

Fillimi i vitit të ardhshëm është dakordësuar mes demokratëve dhe socialistëve që të ulen në tryezën e reformës zgjedhore.

Ndërsa përsa i përket paralajmërimit të SHBA-së për sanksione ndaj personave që janë të përfshirë në korrupsion, kreu i grupit socialist edhe njëherë nënvizon faktin se PS nuk do të bëhet për askënd mburojë politike, qoftë edhe për pjesëtarët e familjes politike.