Negociatat me PD për zgjedhoren? Balla: Dëshira është që Komisioni të nisë punën në janar

Partia Socialiste pret që Komisioni për Reformën Zgjedhore të nisë nga puna në janar të 2022.

Kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla, tha se këtë dëshirë bashkëndan dhe opozita.

Ai nuk zbuloi shumë nga negociatat me demokratët  por nënvizoi se është një çështje që kërkon ende më shumë kohë.

Balla: Nuk ka të bëjë me çështjet e brendshme në PD, PD ka grupin e  saj parlamentar që funksionon në mënyrë institucionale në marrëdhënie me shumicën. PD ka një axhendë që e ndjek në aspektin e vet të punës parlamentare. Por është një çështje që kërkon një punë sqimëtare nga ana e atyre që janë ngarkuar për të bërë këtë punë, në kuotimin e formësimit të mirë të gjithë objektit të punës që të përfshijë të gjithë raportet e ODIHR për zgjedhjet.

Në mënyrë të përsëritur kemi disa raporte, nga 2013, nga të cilat kanë dalë disa rekomandime që duhet ti implementojmë në kod zgjedhor. Kemi mbyllur 95% të strukturës të projektvendimit përkatës për përcaktimin e objektit të punës të Komisionit. Është çështje që kërkon ende më shumë kohë për tu konsultuar mes palëve. Dëshira ime dhe kolegëve nga opozita është që Komisioni të fillojë punën e vet në janar me sesionin e ri të kësaj legjislature.