Ziheshin e qëllonin me armë, duke trembur banorët e Gostimës, kapet Ersi Çekani ishte me masë sigurimi

Dy persona që konfliktoheshin me banorë të zonës dhe gjuanin me armë në ajër në fshatin Gostimë të Librazhdit duke terrorizuar qytetarët, u arrestuan dhe tashmë janë lënë në burg nga gjykata e Elbasanit.

Të ndaluarit janë, Ersi Çekani, personazh ky i përfshirë në ngjarjen e nëntorit 2020 në Elbasan, ku mbeti i plagosur, Ervis Çaushllari ose “Vis Korçari”.

Ndërsa i arrestuari tjetër është shoku i tij, Ervin Doçi, i cili u ndalua nga policia brenda një tualeti të një lokali në fshatin Gostimë.

“Ora News” mëson se Ersi Çekani, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu në masën e “detyrimit për tu paraqitur në polici”, pasi ai është i përfshirë në ngjarjen e Nëntorit 2020.

Ersi Çekani, rezulton të jetë dhe vëllai i Ardi Çekanit, personit që efektivët e RENEA-s, e arrestuan në muajin Mars 2021 në hyrje të shtëpisë së Ardjan Çapjas në Elbasan, i cili shërbente si roje në familjen Çapja.

Tashmë të dy vëllezërit Çekani, janë mbyllur në burg, duke u akuzuar për “Moskallëzim Krimi” dhe “Mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Ndërsa në burg është mbyllur dhe Ervin Doçi, ndaj të cilit policia dhe prokuroria kanë ngritur akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”.

Në dosjen policore të siguruar nga “Ora News” thuhet se:“…nga burime të ndryshme është marrë informacion se në fshatin Gostimë, Ervin Doçi dhe Ersi Çekani, lëviznin me armë zjarri, të llojit pistoletë.

Këta persona, krijonin konflikte të ndryshme me persona ndryshëm në këtë fshat dhe më pas shtinin me armë zjarri në ajër…”.

Policia kriminale, ka shkuar në fshatin Gostimë, duke mbajtur në mbikqyrje dy personat. Në ambjentet e një lokali, është ndërhyrë dhe ndaluar në brendësi të barit, Ersi Çekani.

Ndërsa shoku i tij, Ervin Doçi, nuk u gjend në lokal pasi ishte futur në tualetin e jashtëm të kafenesë.

Çekani, u ka thënë punonjësve të policisë se Ervin Doçi, kishte dalë nga lokali, dhe se nuk kishte dijeni, se ku kishte shkuar.

Policia ka ushtruar kontroll në lokal dhe nuk ka gjendur asnjë send të paligjshëm. Kontrolli policor ka vijuar në ambjentet e jashtme, pasi Ervin Doçi, dyshohej se fshihej aty pranë.

Policët shkuar në banjon e jashtme të lokalit, duke tentuar të hapin derën e tualetit, por ajo ishte mbyllur nga brenda. “…pasi kemi trokitur disa herë duke bërë thirrje se jemi “…POLICIA…”, pas rreth 5 minutash është hapur dera dhe nga banjo doli, Ervin Doci.

Konstatuam se ky person, ishte i dëmtuar në kokë dhe ankohej se kishte dhembje në trup, pasi sipas tij ai ishte rrëzuar nga një pemë...” - thuhet në dosje.

Policia e ka kontrolluar fizikisht por nuk i ka gjetur sende të paligjshme. Më pas është ushtruar kontroll në afërsi të banjos jashtë, ku pas dritares u gjend një armë zjarri pistoletë, e cila ishte hedhur në tokë dhe në një drejtim me dritaren.