Shorti i eliminatoreve të Europianit, Shqipëria U19 dhe ekipi U17 mësojnë rivalët
Është hedhur sot shorti për dy kompeticione të rëndësishme për të rinjtë në nivel kombëtaresh. Fillimisht shorti për eliminatoret e Europianit për moshat deri në U19 ka përcaktuar edhe rivalët e kombëtares kuqezi U19 të drejtuar nga Armando Cungu.
Kështu skuadra jonë kuqezi është shortuar në Grupin 7 ku përballë do të ketë Spanjën, Belgjikën dhe Rusinë. Pas konsultimeve mes federatave dhe UEFA-s është vendosur që ndeshjet e eliminatoreve të Grupit 7 të Shqipërisë në Europianin U-19 do të luhen në Belgjikë në datat 21, 24 dhe 27 shtator 2022. Në bazë të rregullores dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë të eliminatoreve.
Ndërkohë që edhe Shqipëria U-17 ka mësuar sot emrat e rivalëve që do të ketë përballë në fazën kualifikuese të Europianit 2022-2023 të kësaj moshe. Shorti i hedhur nga UEFA në Nyon të Zvicrës e ka vendosur Kombëtaren shqiptare, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.
Pas konsultimeve mes federatave të katër vendeve pjesëmarrëse në Grupin 7 dhe UEFA-s është vendosur që ndeshjet e kualifikueseve të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022./
