Ora News zbardh dinamikën e plagosjes së çiftit nga Kamza, e bija 15 vjeçare ishte në makinën e prindërve

Bashkëshortët Preng dhe Antoneta Paluca, 50 dhe 41 vjeç mbetën të plagosur mbrëmjën e 7 gushtit në afërsi të banesës së tyrë në Kamëz. Ora News ka zbardhur dinamikën e ngjarjes, dëshmitare e së cilës ishte dhe vajza e mitur e çiftit Paluca.

Kanë qenë dy persona në një autoveturë me xhama të errët që kanë ndjekur makinën me të cilën po lëvizte çifti. Ata po ktheheshin nga qyteti i Kamzës ku morën në makinë për ta dërguar në banesë të bijën e mitur vetëm 15 vjeçe, e cila fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa është bërë dëshmitare e ngjarjes së rëndë pasi ndodhej brenda mjetit të babait të saj, raporton Ora News.

Sapo Preng Paluca ka hapur derën e makinës, njëri prej autorëve, i ka vënë dorën te xhami i mjetit, ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë me silensiator. Aty ka ndeshur në rezistencën e 50-vjeçarit i cili është përpjekur t'i largojë armën nga duart.

Në këto momente konfrontimi, arma është shkrepur vetëm një herë, ku predha e ka kapur Prengën fillimisht në dorën e majtë, i ka përshkruar në brinjë, duke depërtuar brenda organeve të brendshme të trupit, raporton Ora News.

E njëjta predhë që ka përshkruar trupin e 50 vjeçarit, ka kapur në këmbë edhe të shoqen Antonetën, e cila ka pësuar vetëm një gërvishtje, ndërsa e bija e cila ndodhej në sediljen e pasme, përveç përballjes me situatën dramatike, fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, por edhe dëshmisë së çiftit, është zbuluar se njëri prej autorëve ka qenë vetëm në rolin e drejtuesit të mjetit, ndërsa tjetri në atë të ekzekutorit,  raporton Ora News.

Ata kishin vendosur në kokë, maska plastike të ngjashme me lëkurën e trupit të njeriut dhe që shpesh grabitësit profesionist i përdorin në vjedhjen e bankave.

Për këtë ka dyshime që ata të kenë qenë vrasës profesionist dhe të paguar, ndërsa janë treguar të kujdesshëm duke marrë nga vendngjarja edhe predhën e nxjerrë nga arma e krimit. Pas atentatit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. /OraNews/