Bullizmi vret, Sociologia Tanellari: Të bulliziarit nuk dinë ku të drejtohen, Shupuli: Ja si bullizua vajza ime
Rrëfimi i një prindi rreth bullizmit erdhi sot në emisionin e “Jeto me Orën”.
Ana Shupuli nënë e dy fëmijëve, mësuese në profesion rrëfeu sesi e bija ishte bullizuar në shkollë.
“Bullizmi ka qenë dhe vazhdon të jetë ende në mjediset e shkollës. Unë kam rolin dhe funksionin e mësuese, vajza ime 15 vjeç është përballur me fenomenin e bullizmit. Më është dashur të përballem dhe e kam vuajtur shumë. Pasi ime bijë e vuante këtë pjesë.
Kam kuptuar se vetëm nuk mund t’ja dilja, por duke biseduar edhe me prindërit e tjerë duke ndarë eksperiencën time, ja kemi dal shumë mirë.
Ndaj them që këto raste duhet të ndahen me të tjerët, që të kemi një ndërgjegjësim”, u shpreh Shupuli.
Sociologia Doralda Tanellari tha se bullizmi është një fenomen që termin e ka të njohur së fundmi, por që ka ekzistuar edhe më herët.
Ajo tha ndër të tjera se duhet një trajtim i veçantë jo vetëm për fëmijët që bien pre e bullizmit, por edhe për bullizuesin.
“Bullizmi është i pranishëm tek fëmijët në momentin kur fëmija haste me grupime të ndryshme, me shokët dhe shoqet. Është një fenomen që ndikon shumë tek fëmijët dhe lë pasoja, sepse fëmija e mbart gjatë gjithë kohës edhe e shfaq edhe tek të tjerët. Duhet të kuptojmë se kemi bullizuesin dhe të bullizuarin, ndaj duhet të kemi kujdes që të dy palët kanë nevojë për trajtim të veçantë”, tha sociologia Doralda Tanellari.
Teuta Patushi, mësuese në shkollën “Hoteleri Turizëm” u shpreh se çdo institucion shkollor paraqet një platformë, rregullore të brendshme të shkollës dhe patjetër që ky duhet respektuar. Sipas saj nëse respektojmë me rigorozitet rregulloren e shkollës parandalohet edhe bullizmi.
“Në gjithë këto vite pune, në qoftë se ju do më pyesnit a kemi hasur forma të dhunshme të bullzmit. Unë do t’i numëroja sa gishtat e njërës dorë. Kjo vjen nga puna dhe përkushtimi. Ne mund të flasim këtu pafund për të vendosur masa sesi mund ta ndalojmë, por jo.
Ne këtu duhet të flasim për atë sesi mund ta ndalojmë, përpara se të ndodh. Dhe kjo funksionon mbi bazën e një trupi të tërë organizativ dhe funksional. Çdo institucion shkollor paraqet një formë platformë, rregullorje të brendshme të shkollës dhe patjetër që e respektojnë në mënyrë rigoroze.
Vetëm kështu mund t’a parandalojmë. Në qoftë se puna ecën dorë më dorë ne mund t’a ndalojmë këtë”, u shpreh Patushi.
Të ftuarat bënë thirrje që shoqëria, familja dhe shkolla janë tre hallkat që duhet të bashkëpunojnë së bashku që ky fenomen të zbutet.


