Kushi i përgjigjet ministres së Kosovës për unifikimin e Abetares: Vonesa është bërë që teksti të jetë me standarde
Vonesat në unifikimin e abetares mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë ardhur si pasojë e punës voluminoze që kërkon hartimi i një teksti me standard. Këtë përgjigje ka dhënë ministrja e Arsimit Evis Kushi pas deklaratës së homologes së saj në Kosovë, që ka fajësuar Shqipërinë për vonesa në këtë proces. Në një intervistë për Ora News, ministrja Evis Kushi tha se redaktimi i gabimeve në tekstet shkollore do të fillojë në janar të 2022.
Deklaratës së ministres së Arsimit në Kosovë për shkeljen e marrëveshjes për unifikimin e abetares nga ana e Shqipërisë, ministrja Evis Kushi iu përgjigj duke thënë se vonesat e këtij procesi kanë ardhur si pasojë e punës voluminoze.
Në një intervistë për Ora News, ministrja e Arsimit theksoi se qëllimi është që teksti që do unifikohet të jetë me standarde.
"Natyrisht në kontekstin e ri në të cilin ndodhemi, konteksti i ri social, kulturor, zhvillimi i madh i teknologjisë, revolucioni i madh dixhital na bëjnë të shkojmë drejt një Abetareje të re e cila i merr në konsideratë të gjitha këto ndryshime," tha Kushi.
Ministrja u tregua mosbesuese ndaj teksteve shkollore që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe që kanë gabime.
Sipas Kushit, nuk bëhet fjalë për gabime në librat shkollorë, por lapsuse që kanë nevojë për përmirësim.
"Për çdo tekst ne të verifikojmë nëse ka gabime, qofshin lapsuse apo gabime shkencore," tha Kushi.
Në Janar të vitit 2022 ministria do të ketë në dorë një raport me qëllim eleminimin e gabimeve dhe problemeve në tekstet shkollore.
"Në fillim të muajit janar ne besoj do kemi rezultatet konkrete, raportet e grupeve të punës që pastaj t'i reflektojmë në korrigjimet përkatëse," tha Kushi.
Ministria e Arsimit tha se po punohet intensivisht për përmirësimin e arsimit në vend.
