ARRSH bllokon daljet e banesave e bizneseve buzë autostradave në Lushnje, banorët: Leja kërkon 20 mln lek

Shtëpi e biznese të ndërtuara buzë rrugës nga Rrogozhina në Fier janë izoluar pasi ARRSH nisi bllokimin e hyrje daljeve në autostradë. Ata thonë se para këtij vendimi, duhet të ishin bërë rrugët dytësore, pasi leja e posaçme për të dalë në autostradë është e papërballueshme.

Mjetet e IKMT në Lushnje hapën kanale të mërkurën si barrikadë për të bllokuar hyrje-daljen e bizneseve dhe banorëve në autostradën drejt Fierit.

Vendimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar nisi nga rrethrrotullimi i Cermës në segmentin Rrogozhinë-Lushnje për të vazhduar deri në hyrje të Bay Pasit te Mbrostarit në afërsi të Fierit.

Të gjendur mes një bllokimi total, bizneset dhe banorët u shprehën të revoltuar për vendimin.

"Nëse bllokohen rrugët do shkaktojë shqetësime."

"Ne nuk kemi rrugë tjetër këtu, ai që do bllokojë atë aty të gjejë një rrugë për të dalë. Ku të shkoj unë?"

"Këtu unë banoj 5 familje, jam unë, djali, 2 nipërit dhe vëllai. Ku të dalim? Rrugë të dytë nuk ka. Ta bëjë rrugën e dytë."

"Për mua ky është një gabim shumë i madh që po bën ARRSH."

Ata u lajmëruan se duhet të aplikojnë për leje e cila kushton disa dhjetëra miliona lekë.

"Për të marrë lejen te ARRSH, por aq sa kushton leja për hyrje-dalje. Kushton jo më pak se 20 milionë lekë të vjetra."

Në kushtet e bllokimit, bizneset thanë se rruga më e lehtë është ulja e qepenave.

"Zgjidhja më e shkurtër për mua është se unë do e mbyll, do shkoj të mbyll licencën."

Banorët kanë  kërkuar me një peticion të bëhet rruga dytësore e më tej të bllokohen hyrje-daljet në autostradë me qëllim të mos pengohet aktiviteti i tyre sidomos në prag të festave të fundvitit.