Berisha: Rama ta bëjë ministër Bashën, do përmbysesh me protesta, nuk ngulim çadra, jemi ortek!
Nga Tropoja ku po mban Foltoren e radhës, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se në statutin e ri do të vendosim primaret dhe zgjedhjet në parti dhe deputetët do të bëhen nga anëtarësia dhe mbështetësit.
Ai theksoi se në statut do të jetë neni Basha ku parashikohet se nëse humben zgjedhjet, kryetari largohet menjëherë.
Berisha: Në statutin e ri do të vendosim primaret dhe zgjedhjet në parti dhe deputetët do të bëhen nga anëtarësia dhe mbështetësit tanë. Ai që merr më shumë mbështetje, ai do të jetë deputeti juaj, nuk do të jetë i kryetarit dhe kryesisë. Maturia juaj është 10 herë më e madhe sot sesa ishte 30 vite më parë.
PD do të shndërrohet në shtëpinë e lirisë. Në statut do të jetë neni Basha ku parashikohet se nëse humben zgjedhjet, kryetari largohet menjëherë. Le të na bëhet mësim që të mos përsëritet historia. Statuti do të ketë një nen të ri ku Azem Hajdari do të shpallet presidenti i përjetshëm i PD-së.
Ramës i them që këtu: Edvin ky është revolucion paqësor, por ti me pengun tënd po përpiqesh që ta bllokosh, por mjerimin do të marrësh. Edvin, pengun bëje çfarë të duash, bëje ministër, por ne do të themi këtu para demokratëve, se para se të vijmë tek kutitë e votimit, do të votojmë me protesta deri sa të përmbysim pushtetin tënd, pastaj do të kemi zgjedhje. Ne nuk ngulim çadra, jemi ortek!

