Bora ja lë vendin ngricave, zonat malore në veri e juglindje përballen me izolim e probleme me energjinë
Reshjet e borës dhe shiut kanë pushuar në të gjithë vendin për t'ia lënë vendin ngricave për shkak të temperaturave të ulëta. Zonat e thella në veri e veri-lindje kanë vështirësi për të lëvizur dhe mungesë energjie elektrike për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës.
Reshjet e shiut dhe borës kanë ndaluar, por zonat malore në veri e juglindje të vendit ende po përballen me izolim dhe probleme me energjinë elektrike.
Më problematike situata paraqitet në qarkun e Dibrës.
Njësitë Lurë e Kala e Dodës mbeten të bllokuara, ndërsa fshatrat e Bulqizës dhe një pjesë e qytetit kanë probleme të theksuara me energjinë elektrike.
"Pardje në darkë janë fikur, dje s'kemi pasur."
"Një pjesë e rrjetit është e amortizuar."
Akset kombëtare raportohen të gjitha të hapura, por rënia e temperaturave gjatë natës krijon ngricë, çka shkakton rrezik për lëvizjen e mjeteve.
Ndaj shoferët rekomandohen të përdorin gomat dimërore dhe të tregohen të kujdesshëm.
Këto masa janë kusht për të qarkulluar edhe në Rrugën e Arbrit.
Në zonat e thella të Pukës dhe Mirditës, trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 centimetra.
Rruga e bllokuar drejt Thethit nisi të hapet këtë të mërkurë, por qarkullimi i mjeteve mbetet i vështirë, ashtu si edhe në rrugën e Dukagjinit.
Në juglindje, aksi Shtyllë-Panarit raportohet i bllokuar, ashtu si fshatra në Devollin e Sipërm.
Në Pogradec, Maliq e Kolonjë, sikurse dhe Korçë nuk ka rrugë të bllokuara, por drejt fshatrave turistike të Voskopojës e Dardhës, policia kërkon përdorimin e zinxhirëve.
Problematika ka edhe në disa fshatra të Librazhdit e Gramshit.
Nga veriu në jug, shumë fshatra kanë probleme me furnizimin me energji elektrike për shkak se stuhia e fundjavës ka dëmtuar rrjetin shpërndarës.
