Dëbora zbardh Shqipërinë/ Probleme në Dibër, disa fshatra të bllokuar, mungon energjia elektrike

Reshjet e dëborës të nisura që nga e hëna kanë shkaktuar problematika të mëdha në vend. Dhjetëra fshatra në Dibër, Korçë e Pogardec, kanë mungesë të energjisë elektrike, ndërsa disa zona janë të bllokuara tërësisht. Niveli i lumenjve në Vjosë dhe Shkumbin është normalizuar dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për përmbytje.

Reshjet intensive të borës përfshinë qarkun e Dibrës.

Rruga e Arbërit e inauguruar një ditë më parë nga kryeminsitri Edi Rama, është bllokuar që prej mbrëmjes së të hënës për shkak të trashësisë së dëborës.

Dëbora shkoi deri në 15 centimetra në Peshkopi, ndërsa në zonat rurale ajo ka arritur më shumë se 20 centimetra.

Zona e Lurës është bllokuar tërësisht, ndërsa Raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra, pasi janë këputur telat dhe janë shembur shtyllat.

Gjithashtu qarkullimi është bllokuar në Trebisht dhe disa fshatra të njësisë së Ostrenit.

Gjithashtu dëbora ka shkuar më shumë se 15 centimetra edhe në Kukës, Has e Tropojë ku nuk janë raportuar problematika.

Zona e Thethit që prej së hënës mbetet e bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës.

Reshjet e borës kanë përfshirë edhe juglindjen e vendit, duke shkaktuar në disa zona edhe probleme me lëvizjen e mjeteve dhe energjinë  elektrike.

E vështirë paraqitej situata në fshatin e Dardhës ku dëbora ka kaluar 30 centimetra ndërsa aksi kalohet vetëm me zinxhirë.

Reshje intesive pati edhe në Voskopojë dhe drejt Kapshticës, ndërsa qarkullimi atje vijon normalisht.

Aktualisht i bllokuar është fshati Panarit, ku trashësia e dëborës ka arritur në 40 centimetra.

Në disa fshatra të Maliqit dhe Dardhasit në Pogradec disa fidra energjie kanë dalë jashtë funksionit duke lënë pa energji prej mbrëmjes së djeshme qindra familje.

Ndërkohë sa i takon lumenjve, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako tha për “Ora News” se Vjosa dhe Shkumbini kanë hyrë në shtratet e tyre.

Erërat e forta dhe dallgët kanë sjellë problematika në portin e Vlorës, ku një traget i linjës Vlorë-Brindisi me 129 pasagjerë nuk ka mundur të ankorohet në port.

Gjithashtu vonesa me mbërritjen dhe nisjen e tragetëve ka pasur edhe në Portin e Durrësit.