Reshjet në vend, Ballo: Situata kritike! Projektet parandaluese duhet të ishin bërë, tani është vonë
Moti i keq ka pushtuar prej dy ditësh vendin tonë, ku sot për shkak të reshjeve të shumta, lumi Shkumbin e Vjosa kanë dalë nga shtrati, ndërkohë që shumë rrugë janë bllokuar nga bora.
Në lidhje me situatën aktuale që po përballet vendi ynë për shkak të motit, inxhinieri Fitim Ballo, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini është shprehur se duhet të nxirren të dhënat se sa është sasia e reshjeve, pasi sipas tij në këtë mënyrë përcaktohet edhe sasia e prurjeve në lumenj.
Fitim Ballo: Shqipëria është një nga vendet që ka reshjet më të shumta në Evropë, dhe burimet ujore pas Zvicrës. Ndikon shumë klima e detin Mesdhe, e Jonit e Adriatikut. Kështu që pothuajse njëherë në 3-4 vjet, ose njëherë në 15 vjet, zonat e ulëta përmbysen. Zonat më të rrezikuara që janë është Vjosa, Shkumbini, Shkodra dhe pritet që të ketë problem edhe në lumin Erzen, Ishmi. Këto reshje duhen parë se të cilit rendi janë, në 100, 200 apo jo. Këto duhet të nxjerrin të dhënat, sepse me përcaktimin e reshjeve, përcaktohet edhe sasia e prurjes në lumenj.
Ai tha se në vendin tonë duhen bërë investime të mëdha në argjinatura, pasi sipas tij ato aktualet janë ndërtuar që në vitet '60. Ai thotë se tashmë është tepër vonë për të parandaluar përmbytjet, ndërsa shton se projektet duhet të ishin bërë që në verë.
Ballo thekson se vendi ynë ndodhet në një situatë kritike.
Fitim Ballo: Problemi është se këtu duhet të bëhen investime të mëdha shumë në argjinatura. argjinaturat në vendin tonë janë bërë që në vitet ’60. Pra kërkojnë investim dhe studim. Shtetit duhet të organizojë projektet ose të organizojë ndërtimin, projektet duhet të bëhen bashkohore, nuk duhen bërë projektet siç janë bërë para 70 vitesh. Duhet parë problemi I kanaleve kulluese. Ka prishje ekuilibri, kanë ndryshuar edhe reshjet. Ka edhe shumë probleme me lumenj me sistemin e tyre. Jemi në një situatë kritike që duhet menaxhua, po për mendimin tim menaxhimi duhet të ishte bërë përpara tani se çka bën, tani bën se çfarë thotë lumi jo se çfarë thonë specialistët.
Përgatiti Anila Kolgjini.
