Situata nga reshjet, MM: Në monitorim situata në zonën e Sukthit, në Dibër dhe në Korçë. Ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në vendin tonë.
Ministria bën me dije se si pasojë e shiut të dendur kishte problematika si rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora, të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile.
Mësohet se janë pastruar akset rrugore Tamarë- Qafa e Bërdalecit, ku ka pasur rënie gurësh dhe inerte si dhe aksin Theth- Qafë Thore nga dëbora.
Ndërkohë në monitorim është situata e krijuar nga fryrja e lumit Erzen, në zonën e Sukthit. Po ashtu me vëmendje po ndiqet edhe situata në Dibër.
“Me vëmendje po ndiqet situata në Dibër, ku policia po drejton kalimin e mjeteve drejt Dibrës dhe Tiranës, në aksin rrugor Dibër- Tiranë pranë tunelit, ku për shkak të rrëshqitjes së 2 mjeteve nga dëbora u bllokua qarkullimi. Aktualisht strukturat e emergjencave civile janë në ndjekje të situatës në qarkun e Elbasanit.”- njofton Ministria e Mbrojtjes.
Situata paraqitet e normalizuar në aksin rrugor Librazhd-Zgosht, ku pati rënie të gurëve në rrugë. Po ashtu asi rrugor Bajram Curri- Valbonë, në qarkun e Kukësit është i hapur dhe pa probleme.
Edhe në Korçë po punohet me borëpastruese për të mbajtur të hapur aksin rrugor Boboshticë- Dardhë, ku ka pasur reshje dëbore.
“Strukturat vendore të emergjencave civile janë në gatishmëri edhe në qarkun e Vlorës, ku ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa në Urën e Mifolit.”- njofton Ministria.
