Politika e përçarë për largimin e gjermanit të fundit, komunistët festojnë 29 Nëntorin
77-vjetori i Çlirimit nuk risolli vetëm ndarjen mes PD dhe PS për largimin e gjermanit të fundit nga Shqipëria. Deputeti socialist Bujar Çela së bashku me ithtarët e komunizmit kanë vlerësuar figurën e diktatorit Enver Hoxha, edhe pse kreu i parlamentarëve të mazhorancës u mundua të justifikonte ngjarjen. Në ceremonitë e nderimit as Presidenti dhe as Kryeministri nuk pranuan as të përshëndeten, duke respektuar vetëm protokollin në këtë datë.
Kronika u përgatit nga Rtv Ora
Si një vend unik në botë, shqiptarët ndahen edhe për festimin e festave zyrtare, pasi demokratët dhe socialistët nuk arrijnë të bien dakord për datën e largimin të gjermanit të fundit nga Shkodra.
Por përveç ndasive mes të djathtëve dhe të majtëve, 29 nëntori, i cili shënoi 77-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste, nuk ka arritur të rikthejë paqen as mes dy ish-aletatëve, Presidentit dhe Kryeministrit.
Përveç respektimit të protokollit për të nderuar dëshmorët e rënë gjatë luftës, Ilir Meta dhe Edi Rama, as para Nënës Shqipëri, nuk kanë arritur të lënë menjanë inatet personale.
Meta, i cili për Ramën është një Presidenti i shkarkuar nga Parlamenti, përshëndeti vetëm kryetaren e Kuvendit Nikolla, duke i kthyer kurrizin Kreut të qeverisë.
Ndërsa krerët e shtetit ziejnë mes njëri-tjetrit për pushtet, ithtarët e komunizmit festojnë me këngë dhe valle në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve, duke mbajtur në duar pankartat në nderim të dikatorit Enver Hoxha.
29 Nëntori ka rikthyer debatet për figurën e Enver Hoxhës, por ndryshe nga herët e tjera, tashmë protagonistë këtë vit nuk janë anëtarët e Partisë Komuniste, por deputeti i PS-së në Lushnje.
Në kohën kur nga Fieri kreu i grupit socialist Taulant Balla po e justifikonte deputetin e tij, Bujar Çela nga Lushnja nuk shfaqi asnjë shenjë pendesë për urimin me foton e Enver Hoxhës në grupin e whatsappit të Komisionit të Sigurisë.
Madje Çela, publikimin e fotos nga demokrati Alibeaj, e sheh si një dejavu të luftës komuniste me atë balliste.
Dëshmorët e atdheut janë përkujtuar në çdo qytet të Shqipërisë, ndërsa demokratët kanë vendosur të shtunën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”.

