Deti na kthen mbetjet, vija bregdetare në Vlorë mbushet plot me mbeturina

Pas reshjeve të shiut dhe stuhisë, bregdeti i Vlorës është mbushur plot me mbeturina. Mbetjet që janë hedhur vend e pavend kanë përfunduar në det, por natyra siç duket ka vendosur që t’i kthejë ato në Vlorë, duke treguar qartë se institucionet kanë dështuar në menaxhimin e mbetjeve.

Kjo është pamja e plazheve të Vlorës pas motit të keq që ka prekur qytetin.

Plastikë, qelq e mbetje të tjera kanë mbushur vijën bregdetare.

Janë dëshmi e ndotjes së madhe që vjen nga dora e njeriut, dhe paaftësia e institucioneve për të menaxhuar mbetjet urbane.

Të hedhura vend e pa vend, reshjet e shiu i mbledhin dhe lumejtë i depozitojnë në det, që si për të na dhënë një leksion ndëshkueshmërie na i kthen pas në breg.

Bashkia e Vlorës ka nxjerrë punonjësit në bregdet, si dëshmi e dështimit, pasi ato mbetje duhej të mblidheshin që në burim.

Këtë muaj qeveria nisi një aksion kombëtar dhe kryebashkiakët e urdhëruar dolën me qese të zeza në dorë për të pastruar territorin.

Por është vetë natyra që hedh poshtë propagandën dhe këto pamje janë dëshmi.