Longo: Besoja te fitorja e Kukësit. Shkëmbi bën hero portierin Bakaj
Ndeshjet e fundit të javës së 10-të dhanë dy verdikte të rëndësishme teksa trajneri Diego Longo kishte besim të madh te skuadra dhe tha me bindje se e priste suksesin ndaj Egnatias.
“Unë gjithmonë aktivizoj lojtarët më të mirë në fushë, gjithmonë vendos në lojë ata që janë gati. Është hera e parë për mua në Shqipëri, isha i sigurt që do e fitoja ndeshjen, POR nuk jam i sigurt nëse ishte fitorja më e bukur këtë sezon. Goli i anuluar? Nuk do të gjykoj arbitrat, ai mund ta lejonte lojën dhe ta shihte me VAR, prandaj është VAR-i në funksion. Duhet ta vazhdonte lojën. Edhe në Kupë ne fituam 2-0, vetëm se këtu luajtëm futboll dhe vetëm futboll”, deklaroi trajneri i ekipit verilindor.
Ndërkohë në kampin e Dinamos gëzojnë për 3 pikët me Kastriotin por trajnerin Shkëmbi pohoi se 3 pikët erdhën falë pritjeve heroike të portierit Bakaj.
“Ishte një fitore minimale, por kishim shumë nevojë për këto tre pikë. bëmë një pjesë të parë jo të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm mirë dhe arritëm të shënonim,. Mund të shënonim edhe golin e dytë, por më pas vuajtëm shumë dhe në 2-3 momente na shpëtoi portieri. Megjithatë në këto momente kishim nevojë për pikë dhe tashmë ka rëndësi që i morëm ato. Kur një lojtar është në formë, për trajnerin nuk ka vështirësi. Në futboll, nga minuta e parë luajnë lojtarët që bëjnë më mirë dhe nëse Bakaj vazhdon në këtë mënyrë, patjetër që do të jetë ai titullari. Rezultati 1-0 është gjithmonë i pa sigurt deri në fund dhe gjithmonë mendoja që duhej të shënonim golin e dytë, që në fakt nuk erdhi për mungesë të një pasimi të saktë, apo për mungesë të besimit. Nuk e shënuam dot dhe vuajtëm në fund, por për fat të mirë, portieri na shpëtoi”, përfundoi trajneri i Dinamos./Ora News/.
