Në gjyq ish-kandidati i LSI, SPAK përfundon hetimet ndaj Etion Jokës: I ofroi 100 dollarë një qytetari në këmbim të votës

Prokuroria e posaçme, SPAK, ka dërguar në gjyq me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje ish-kandidatin e lsi në zgjedhjet e 25 prillit, Etion Joka.

Në një njoftim për median, spak bën të ditur se ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në datën 23 Prill 2021 në median audiovizive.

Prokuroria bëri të ditur se nga të dhënat e përfituara nga pamjet filmike, si dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, rezultoi e provuar se shtetasi Etion Joka, kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 Prill 2021, i ka ofruar një shumë prej 100 (njëqind) USD, shtetasit Elis Babo, në këmbim të sigurimit të votave.

Për këtë arësye, SPAK ka përcjellë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim dhe aktet e procedimit ndaj shtetasve Etion Joka, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”dhe Elis Babo, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.