Telefoni në dekoderin e TV së Admir Tafilaj, hetim zyrtarëve të burgut
Kapja e një pajisje telefonike në dekoderin e televizorit, që mbante në qeli i dënuari me burgim të përjetshëm, Admir Tafili, është bërë shkak që prokuroria e Burrelit, të urdhërojë nisjen e një kontrolli të imtësishëm, në televizorët që të dënuarit mbajnë brenda burgut.
Vendimi për kontrollin në pjesën e brendshme të televizorëve dhe dekoderave është marrë nga prokurori i Matit, Abaz Muça, i cili pasi është vënë në dijeni për rastin, se Tafilit ju gjet pajisja telefonike në dekoderin e televizorit, ka urdhëruar një oficer policie që në prani dhe të Policëve të Burgjeve dhe një specialist IT, të verifikojnë me imtësi televizorët dhe dekoderat e tyre.
Në ditët në vijim pritet të ngrihet dhe grupi i punës që do ekzekutojë urdhrin e prokurorit të Matit, për të kontrolluar pajisjet elektronike që janë futur në burgun e Burrelit.
Ndërkohë, me një urdhër tjetër edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka kërkuar që të kontrollohen pajisjet elektronike në burgun e Burrelit dhe atë të Peqinit.

Njëherësh, prokuroria e Burrelit, veç nisjes së hetimeve ndaj Tafilit për futjen e sendeve të palejuara brenda në burg, ka çelur dhe një hetim për “Shpërdorim detyre”, ku në lupën verifikuese do jenë zyrtarë të burgut të Burrelit.
Kjo pasi dekoderat e televizorëve dhe vetë televizorët që mbajnë në ambijentet e burgut të dënuarit, blihen dhe futen nga një grup njerëzish, që përbëjnë komisionin e burgut për blerjet e televizorëve dhe frigoriferëve. Për të hedhur dritë mbi mënyrën se si ka hyrë brenda dekoderi i televizorit bashkë me qarkun telefonik, është hapur hetimi për zyrtarët e burgut.
Sipas rregullores, të dënuarit ose familjarët e tyre dorëzojnë pranë një komisioni në burgun ku ndodhen një sasi parash.
Këtë sasi lekësh e dorëzojnë me qëllim për të blerë pajisje elektronike, si mikrovalë, tostë, frigoriferë, dekodera dhe televizorë.
Blerjen kryhen pikërisht nga anëtarët e këtij komisioni dhe më pas ata ja shpërndajnë nëpër dhoma të dënuarve që kanë bërë porosinë.
Nisur nga kjo situatë janë ngritur dyshime të forta se si është bërë e mundur që brenda dekoderit të televizorit të gjendej, pikërisht pajisja telefonike, prej nga Admir Tafilaj, dyshohet se kryente telefonata.
Pikërisht me këtë pajisje që shihni në këtë foto që u zbulua në 8 nëntor 2021, e cila ishte ngjitur me silikon dhe kallaj në 4 tela bakri, Admir Tafili komunikonte në telefon, me persona të ndryshëm.
Zbulimi i pajisjes është bërë nga IT-ja i burgut të Burrelit, ndërsa vetë gardianët nuk kanë qenë në gjendje ta zbulojnë aparaturën e futur brenda dekoderit.
