Punimet tek sheshi "Shqiponja" ja si devijohet trafiku në Tiranë
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se në datën 24 dhe 25 nëntor do të devijohet trafiku nga Ura e lumit Lana deri te kryqëzimi me zgjatimin e Bulevardit “Migjeni”.
Kjo vjen për shkak të punimeve që do të kryhen për shtresën e fundit të asfaltit në rrugët dytësore të Loti 2.
"Në datat 24-25.11.2021 gjatë natës do të kryhen punime në rrugën paralele perëndimore (krahu i pallateve) nga Ura e lumit Lana deri te kryqëzimi me zgjatimin e Bulevardit “Migjeni”, njofton ARRSH.
Trafiku do të devijohet nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit.
Të gjitha automjetet që do të vijnë nga ish-sheshi Shqiponja, do të devijojnë vetëm majtas me destinacion rrethin e Pallatit me Shigjeta dhe do të jenë te bllokuara të gjitha degëzimet që lidhen me këtë aks dytësor me destinacion rrugën “Tom Plezha”. Gjithashtu nuk do të lejohen parkimet e automjeteve në këtë aks.
