"Zhduket" pronari, punonjëset e një fasonerie në Shkodër pa paga prej 3 muajsh
Prej 3 muajsh punonjëset e një fasonerie në Shkodër nuk janë paguar. Por si të mos mjaftonte kjo, së fundmi pronari ka mbyllur dyert e fabrikës dhe është larguar në drejtim të paditur. Punonjëset i janë drejtuar policisë dhe Prokurorisë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ta.
Punonjëset e një fasonerie në qytetin e Shkodrës dolën në protestë, pasi nuk kanë marrë rrogat e 3 muajve punë.
Fabrika ku ato punonin sot ka mbyllur aktivitetin dhe askush nuk përgjigjet për pagat e prapambetura.
Punonjësit, kryesisht gra, i janë drejtuar policisë dhe Prokurorisë.
"Ne duam të drejta tona se kem i punuar."
"Nuk na ka dhënë rrogat. Ne duam rrogat tona, kemi 2 muaj që nuk i kemi marrë."
"Ne duam vetëm rrogat tona, djersën tonë."
"Prej 3 muajsh nuk na ka dhënë rrogat, halli na ka bërë të vijmë te ju."
Dy shkresa janë dorëzuar me firmat e tyre në organin e akuzës, e para mban datën 28 shtator 2021 dhe shkresa e dytë 24 nëntor 2021, të dyja pa përgjigje.
"Kemi shkuar në polici, kemi bërë denoncimin ka kanë çuar në Prokurori. Prokurorisë i kemi bërë kërkesën që në 13 shtator, nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigje."
"Asnjë lloj përgjigje, vetëm na thonë bëni një kërkesë me shkrim dhe asgjë më shumë."
Punonjëset thonë se përveç pagave që nuk u janë dhënë atyre, nuk u janë paguar as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
