Banka pengon hetimin, inceneratorët presion për të dhënat
Opozita ka akuzuar në komisionin hetimor se Mirel Mërtiri nuk po i lejon bankat të paraqesin lëvizjet financiare të landfilleve. Deklaratat kanë sjellë përplasje me mazhorancën e cila nga ana tjetër ka kërkuar informacion nga lëvizjet e Lulzim Bashës jashtë vendit.
Komisioni hetimor për inceneratorët ka hasur në ngërç. Deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka akuzuar se pronarë të koncesioneve po i bëjnë presion bankave për të mos dërguar të dhënat mbi lëvizjet financiare. Ndaj duke iu referuar ligjit që i jep këtij institucioni kompetencat e Prokurorisë ai kërkoi zbatimin e detyrimit.
"Me një kërkesë të paligjshme të shtetasit Mirel Mërtiri i cili i ka drejtuar një letër bankave të nivelit të dytë në vend për të bllokuar dhënien e informacionit këtij Komisioni Hetimor. Në momentin që ne po kërkojmë të dhëna për një person i cili aludohet gjerësisht në media dhe që ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga buxheti i shtetit, vjen dhe na dikton ne punën në këtë komision hetimor. "
Qëndrimet e opozitës prodhuan sërish tensione kur mazhoranca kërkoi të mos spekulohej.
"Personalisht e gjykoj që nuk ishte me vend që ju ja bëtë këtë kërkesë bankave."
Në leximin e të dhënave rezultoi se edhe policia nuk kishte dorëzuar material për lëvizjet në kufi për personat e kërkuar nga komisioni.
"Të drejtën ligjore për ta marrë këtë informacion për sa i përket hyrje-daljeve në sistemin TIMS e kanë shtetasit dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë, Prokuroria ose Gjykata."
Si kundërpeshë të kërkesës së opozitës mazhoranca kërkoi të dhënat për lëvizjet e Bashës, duke akuzuar se dhe Komisioni Hetimor është gjobë.
"Për të na bërë me dije lëvizjet e zotit Basha në periudhën që pretendohet të ketë udhëtuar."
Janë tre koncesione që do të hetohen nga parlamenti, incineratorët në Fier dhe Elbasan si dhe landfilli në Tiranë.
