Ju flet Moska - Plani për ta zhvendosur në Shqipëri luftën me emigrantët në kanalin anglez

"Plani për ta zhvendosur në Shqipëri luftën me emigrantët në kanalin anglez" ishte tema e kësaj të marte në “Ju flet Moska” nga Kastriot Myftaraj në RTV Ora.

Myftaraj: Prej disa muajsh qeveria Rama ka mohuar se po bën një marrëveshje me Britaninë e Madhe për të pranuar në Shqipëri emigrantë të paligjshëm që kalojnë kanalin anglez, ngushticën midis Anglisë dhe Francës. Kjo është një krizë e madhe midis Francës dhe Britanisë së Madhe, numri ka ardhur duke u rritur dhe Britania e Madhe kërkon të gjejë një zgjidhje.

Nëse ju kaloni kanalin, arrini të hyni në territorin britanik ne do t'ju çojmë në Shqipëri, kështu që do jeni të humbur, si të thuash do bini si miu në çark, kjo është ideja.

Për këtë ka arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare që është mohuar deri më sot, por tani marrëveshja po kalon n Kuvend, ka kaluar në komisione dhe po zbulohet e vërteta sepse britanikët janë njerëz që i duan gjërat strikte me marrëveshje të firmosura, jo siç na i sollën afganët amerikanët e këta muxhahedinët iranianë.

Do jepen 100 mijë paund për emigrantët e paligjshëm që do vijnë, të cilët siç thonë këta nuk janë shqiptarë.

Në fillim mohojnë gjithçka,  kanë atë praktikën, jo thonë  nuk është e vërtetë, pastaj fillojnë e pohojnë pjesërisht. Praktikisht bëhet fjalë për emigrantë që janë shtetas nga vendet e Afrikës, nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë, myslimanë.

Lind pyetja përse i ka dhënë policia shqiptare lejet e qëndrimit për këta njerëz?

Kriza po bëhet shumë e madhe për Britaninë, këtë vit kanë kapërcyer kanalin 25 mijë emigrantë të paligjshëm. Në Francë janë këtë vit 35.100 persona që janë atje dhe janë përpjekur të kalojnë kanalin. Përmasat e krizës janë të mëdha dhe në rritje. Mënyra më e mirë që është gjetur që mos i hyjnë kësaj aventure është  ne ju marrim, ju çojmë në Shqipëri. Joshja që bëjnë britanikët është duke paguar 100 mijë paund për çdo emigrant që sjellin. Doli dhe një deputet i PS-së do vijë leku i madh tha. Këta me 100 mijë paund mund t'i mbajnë 20 vjet këtu se 500 paund është kostoja e mbajtjes së tyre në muaj.

Edi Rama e ka zakon, nxjerr nga një deputet të tregojë nga një fabul siç e bëri për afganët. Po të vijnë këtu, këtu do mbeten. Ku do ikin? Duhen para të paguajnë trafikantët se ato 100 mijë paund s'ia jep njeri në dorë. Ato 100 mijë paund llogarisin t'i marrin vetë këta. Ka bërë një VKM qëkur mori afganët Rama që të gjitha ndihmat që vijnë kalojnë nëpërmjet tigrit Arben Ahmetaj, ndihmat e huaja.

Pra do vijnë 100 mijë paund për person, do ndërtohen ato kampet. Pjesa më e madhe e tyre janë marrë me aktivitete kriminale atje, janë nejrëz të rrezikshëm. Me çfarë do merren në Shqipëri ata? Britania e Madhe ka 25000 njerëz që kanë kaluar kanalin vetëm këtë vit dhe po vazhdojnë po kalojnë me shifra alarmuese. Këta njerëz Britania kërkon t'i sjellë në Shqipëri dhe këta po mprihen mirë, i kanë hapur kthetrat dhe parashikojnë para të madhe këta të marrin.

Do rrinë transit thonë, por si transit? Nëse këto 100 mijë paund janë të mjaftueshme i merrnin shtete e tyre se janë vende të varfra. Pra Britani e madhe mund t'i thoshte këtyre vendeve ti ke 1000 veta merri këto 100 mijë paund. Por jo, këta nuk i duan as vendet e tyre se vendet e tyre e kuptojnë mirë se çfarë të keqe ka. E keqja është që vendi që i pret, Shqipëria ka dhe përgjegjësinë për këta.

Për më shumë ndiqni videon: