Psikologia Erlinda Murati: Edukimi seksual tek fëmijët parandalon abuzimet

Edukimi seksual tek fëmijët është një ndër temat më të folura kohët e fundit. Për të folur më shumë rreth kësaj teme dhe rëndësisë së saj në familjet Shqiptare ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” në RtV Ora  ishin të ftuar psikologia Erlinda Murati, sociologia Eris Dhamo dhe prind fëmijë Irma Qose.

 “Edukimi seksual vazhdon të jetë delikate, ashtu si thembra e Akilit”, kështu e ka cilësuar psikologia Erlinda Murati.

Sipas saj prindërit nuk duhet asnjëherë në asnjë rrethanë që fëmijëve të tyre t’u përgjigjen se është turp të flasësh për edukimin seksual, por duhet t’ua shpjegojnë atyre dhe t’u japin përgjigje për çdo gjë rreth kësaj teme.

“Ekspertët bien dakord që duhet të jenë tre  faza për edukimin seksual të fëmijëve, që është mosha parashkollore, në adoleshencë dhe pastaj deri në moshën 18-vjeçe. Ne pretendojmë që vajzat adoleshente në këtë moshë të flasin me nënën e saj, ndërsa më përpara i stepim ata duke u thënë që mos fol se është turp. Ti themi fëmijës se është turp për të fol për diçka, përveç se pengojmë atë fëmijë të shprehet do e detyrojmë atë të shkoj ta marr diku tjetër. Gjë e cila është e gabuar se ne nuk mund të ndjekim kanalet se ku e merr këtë informacion. Prindërit duhet t’u përgjigjen fëmijëve të tyre atij që ja drejton pyetjen dhe jo t’i devijojnë duke thënë pyet babanë se ai e din se ti je djalë. Kjo është totalisht gabim”, u shpreh Murati.

Gjithashtu për këtë temë mjaft delikate dhe që ende shihet si tabu në familjet Shqiptare, e ftuara prind fëmijë Irma Qose, u shpreh se edukimi seksual duhet të nis që në vegjëli tek fëmijët. Madje ajo theksoi se nëqoftëse ne si prindër nuk do u flasim për riprodhimin seksual, fëmijët tanë do e kërkojnë këtë informacion diku tjetër, gjë e cila sipas saj është shumë e rrezikshme, sepse nuk mund t’a zgjedhim ne si prindër  kanalin se ku e marrin informacionin.

“Unë bëj pjesë tek ata prindër, që duan që edukimi seksual tek fëmijët të nis që në moshë të hershme. Shprehja tipike, si lind bebi, i solli lejleku. Kjo është e gabuar për mendimin tim, duhet në etapa të ndryshme të bebit të shpjegohet sesi ndodh kjo. Edukimi mbi seksualitetin është kryesorja që peshën më të madhe të edukimit e ka familja, më pas shkolla, etj. Edukimi seksual duhet të nis që në vegjëli. Edhe babai duhet të flas për këtë pjesë me fëmijët, duhet të thyhet ajo tabuja që nuk mundet. Vëmendja është shumë e rëndësishme, pasi jetojmë në botën e digjitalizimit. Pasi kemi përdorimin e internetit masivisht nga adoleshentët dhe aty nuk kemi siguri nëse hasin dhe gjejnë video ‘porno’, që e cila është problem”, tha Qose.

Ndërsa sociologia, Eris Dhamo tha për edukimin seksual tek fëmijët se “intimiteti është shumë i rëndësishëm, dhe duhet të kemi kujdes për cenimin e tij”.

“Ne në fakt kemi pak informacion mbi edukimin seksual dhe atë që kemi nuk është se është shumë i vlefshëm. Unë i përkas brezit ku nuk kishim informacion mbi edukimin seksual, madje dhe aq pak sa kishim e merrnim nëpërmjet shokëve, ose nëpërmjet prindërve por, shumë të cunguara duke mos thyer atë tabunë. Dhe unë jam e mendimit sa më shumë informacion rreth seksualitetit kemi dhe shtyrjen e parë të aktit të marrëdhënies seksuale, gjë e cila është shumë e rëndësishme. Kur jepja një lëndë në shkollë, më duhej dy herë të mendohesha kur përmendja fjalën ‘seks’, ndërsa sot është pak më ndryshe. Por kur mendohesha shumë në auditore, imagjino si mund të jetë jashtë saj, pra shihet si një tabu. Intimiteti është shumë i rëndësishëm, dhe duhet të kemi kujdes për cenimin e tij”, tha ndër të tjera Dhamo.