Berisha thirrje anëtarëve të kryesisë: Jepni dorëheqjen, jeni emëruar nga Basha konform Statutit, mos rrini skllevër të tij
Ish-lideri historik i PD-së, Sali Berisha i ka bërë thirrje anëtarëve të kryesisë , sipas tij të emëruar nga Basha dhe jo të zgjedhur nëpërmjet votës, të japin dorëheqjen sa më parë.
Berisha i kërkon të bashkohen me Kuvendin e 11 dhjetorit, pasi ai është Kuvendi i rithemelimit të PD-së. Ai i dërgoi një mesazh Edi Ramës dhe Lulzim Bashës duke thënë se më 11 dhjetor do të marrin përgjigjen më të hidhur që nuk e ka marrë askush në këto 30 vite.
Berisha: Procesi që zhvilloi për zgjedhjen e kryetarit të PD-së ishte një proces i manipuluar. Edhe ky shkelmoi votën, por shkoi pak më tutje. Na zgjidhi një kryesi pa votë, për herë të parë në historinë e PD-së. Peng Basha që imiton Ramën zhduku votën, 60% të kryesisë së PD-së e emëroi. Spostim direkt i partisë drejt organizimeve komuniste. Vetëm partitë komuniste mund të veprojnë në këtë mënyrë. Kryesia nuk emërohet, kryesia zgjidhet me votën e fshehtë.
Ai nuk e sillte në votë të fshehtë se e dinte që nuk zgjidhej kryesi e tij. Ndaj dhe shkeli Statutin me dy këmbë, emëroi një kryesi e cila vendos të thërrasë antikuvendin e pluralizmit politik. E rëndësishme është që njeriu korrigjon gabimin. Nuk jeni të zgjedhur konform statutit, jeni të emëruarit e Lulzim Bashës. Sa më shpejt jepni dorëheqjen, bashkohuni me Kuvendin rithemelues të PD-së. Bashkohuni sepse qëllim i ynë është të bashkohemi, por nuk ka asgjë në botë që mund të na bashkojë përveç votës. Vota është ajo që na bashkon si njerëz të qytetëruar. Jepni dorëheqjen, mos rrini si skllevër të Bashës sepse do bëni një gabim të rëndë për veten tuaj.
