"Nga specialist zemre duhet të kalosh specialist i përgjithshëm", demokrati-Berishës: Shqipëria të kërkon të kurosh shpirtra njerëzish
Në takimin me demokratët e Matit, Berisha zhvilloi ashtu si dhe në Foltoret e kaluara bashkëbisedim me të pranishmit në sallë. Demokrati i pranishëm në sallë i bëri një sugjerim zotit Berisha duke i thënë që nga specialist zemre të kalojë specialist i përgjithshëm.
Demokrati: Na kishte marrë malli doktor. Zoti Berisha kanë ndodhur 2 veprime te tmerrshme për ne demokratët në 2013. Ishte distancimi juaj nga PD-ja dhe erdhi në krye një person që na kanë dëmtuar jashtë mase. PD-ja mbeti si një luaneshë e plagosur në shkretëtirë. Ti zoti doktor që t'u dha mundësia të kurosh zemra njerëzish, sot Shqipëria të kërkon të kurosh shpirtra njerëzish dhe nga specialist zemre duhet të kalosh specialist i përgjithshëm.
Janë shumë organe që e mbajnë trupin të gjallë. Ne jemi familje e madhe, familje e lirisë së mendimit. Dua t'i them diçka Lulzim Bashës. Kur e vret veten vetë, në Mat nuk ta lan gjakun askush. Ai e vrau veten vetë. Edhe 15 sekonda për zonjën ambasadore. Zonjë e nderuar nuk je në vendin e duhur, je përfaqësuese e tempullit të lirisë në shkallë botërore.
Pas fjalës së demokratit, zoti Berisha i garantoi se do bëjë gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në vendin e shpresës së shqiptarëve.
