Goditi Payet me shishe. “Hëngri” shuplakë, tani tifozi i Lyonit “ha” edhe burgun (Video)

Autori i kaosit që solli ndërprerjen dhe largimin nga fusha të Lyonit dhe Marseille në kampionatin francez e pëson keq.

 

Fillimisht ai në stadium u identifikua dhe shefi i Ulstrasve të Lyonit me të gjetur e qëlloi me shuplakë në shkallët e impiantit por autoritetet arritën ta identifikonin dhe ta ndalonin.

Personi që qëlloi me shishe Dimitri Payet është 32-vjeçari Wilfried Serriere dhe me t’u ndaluar ai menjëherë u akuzua dhe sot pasi prokuroria kishte dhënë pretencën, Gjykata mori vendimin që nuk është aspak i mirë për të.


6 muaj burg për autorin e ngjarjes e cila do të shoqërohet me kusht, nën monitorim dhe nëse sjellja e tij është e keqe ai menjëherë shkon në qeli. Gjithashtu 32-vjeçari do të paraqitet në komisariat sa herë që Lyoni do të ketë ndeshje ndërsa për 5 vite i ndalohet rreptësisht hyrja në çdo impiant sportiv.

Një denim për t’u marrë shembull për tifozin që shkaktoi dëme mijëra euro për tifozët dhe qindra mijëra për skuadrat e gjithashtu dëmtoi imazhin e Ligue 1./Ora News/.