Kune-Vaini në rrezik/ Erozioni detar po zhduk zonën, ekspertët ngrenë alarmin

Erozioni detar po rrezikon seriozisht zonën e Kune-Vainit në Lezhë. Pishat qindra vjeçare janë zhdukur tanimë, dhe ekspertët thonë se ndërhyrja edhe pse është e kushtueshme është urgjente, në të kundërt pasojat do të jenë shkatërrimtare!

Erozioni detar është kthyer në kërcënim serioz për zonën e Kune-Vainit në Lezhë. Pisha qindra vjeçare janë rrëzuar në bregdetin e Kunës pas reshjeve të shiut.

Referuar të dhënave nga viti 1970 e deri tani janë tjetërsuar 362 hektarë tokë, duke u kthyer në mjedis detar.

Eksperti i Mjedisit Jak Gjini thotë se janë asgjësuar të gjitha dunat dhe është prishur i gjithë profili natyror në këtë zonë, ndërsa sipas tij ndërtimi i kaskadës së Drinit dhe devijimi i rrugës së sendimenteve që lumi sillte në rezervatin natyror të Kune- Vainit në Lezhë i ka lënë dorë të lirë detit për të rrëmbyer metër pas metri tokën.

"Është një gllabërim i jashtëzakonshëm i bregut. Është prishur krejt profili natyror, paraplazh, plazh dhe një rol të madh kanë luajtur dhe ndërtimet në bregdet.”

Erozioni detar në Kune ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e rërës, duke bërë që kjo zonë të braktiset dhe nga pushuesit gjatë sezonit të verës. Banorët janë të shqetësuar se mungesa e masave mund ta bëjë të gjithë zonën të pajetueshme.

“Këtu ku është bregu i detit sot, dikur ka qenë një rezervuar për më pi bagëtia ujë, ndërsa sot e ka marrë deti. Do jetë vonë dikur, është vonë edhe sot, për më mirë vonë sesa hiç."

Eksperti i Mjedisit Jak Gjini thotë se kostoja e ndërhyrjes është e lartë, por ajo është bërë e pashmangshme nëse duhet të shpëtohet zona.

Alarmi për shkatërrimin nga erozioni të Kune-Vaint është dhënë prej vitesh, por ka munguar ndërhyrja për shpëtuar këtë perle natyrore që rrezikon seriozisht ekzistencën.