Shkeli masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe terrorizoi me armë zjarri banorët, arrestohet 21 vjeçari në Krujë
Policia e Krujës ka arrestuar 21-vjeçarin i cili Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe qëlloi me armë zjarri në ajër, në fshatin Arrameras.
Policia bën me dije se 21-vjeçari ishte, me precedent penal në fushën e vjedhjes së pronës dhe armëmbajtjes pa leje.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. B., 21 vjeç, banues në fshatin Borizanë, i dënuar më parë vjedhje.”- njofton policia.
Ky shtetas kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kishte shkuar në fshatin Arrameras dhe në orët e mbrëmjes ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër, në afërsi të banesave.
21-vjeçari, sapo ka parë shërbimet e Policisë ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar, por është kapur disa minuta më vonë.
Vijon puna për gjetjen e armës së zjarrit pistoletë me të cilin 21-vjeçari ka qëlluar në ajër. I riu akuzohet për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
