Burimi: SPAK-u duhet të thërrasë Bashën, që pretendon se ka prova kundër Berishës

Gazetari, Genc Burimi, pohon se SPAK duhet të thërrasë kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi ky i fundit pretendon se ka prova kundër Sali Berishës.

Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar më 10 shtator, pas shpalljes "non grata" të Berishës nga Amerika.

Në një intervistë për edicionin e informativ në RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushja, Burimi thotë se pas veprimeve të Bshës fshihet Amerika dhe se kreu i opozitës ndodhet nën presionin e SHBA-ve.

Ndër të tjera Burimi komenton kuvendin kombëtar  të paralajmëruar nga Berisha më datë 11 dhjetor, kuvend të cilin  Basha ka njoftuar se do të mblidhet më 18 dhjetor.

Genc Burimi: "Është një luftë brenda partisë, për fronin e kryetarit të partisë. Është një luftë më se normale. Ajo që më habit në këtë rast është se Lulzim Basha  fshihet pas argumentëve amerikanë, që për mua nuk është argument. Nuk është punë e amerikanëve, është çështje e demokracisë. Në çdo demokraci, çdo person që akuzohet ka të drejtë të kërkojë prova për akuzat që i bëhen. Për mua sot SPAK-u duhet të thërrasë Lulzim Bashën, i cili pretendon se njeh provat kundër Berishës, prova që i ka dhënë një zyrtar i lartë amerikan.

Dhe këto prova i çohen drejtësisë. Je parti demokratike, jo parti amerikane. Pra vlerëso, respekto të drejtat e njeriut. Cilido qoftë Sali Berisha, krimineli më i madh, hajduti më i madh, dhe ai ka të drejtë për një proces të drejtë legjitim. Në Francë sot gjykojmë vrasësin që i mori jetën 130 francezëve të pafajshëm në një sallë spektakli. Dhe ai kriminel i madh ka të drejtë për gjyq. Kjo është demokracia. Nëse ka prova t'i çojë drejtësisë."

SPAK është ai që duhet t'i japë drejtësi në këtë rast?

Genc Burimi: "Kush do që të jetë SPAK, Prokuroria e Prgjthshme, s'ka rëndësi. Në demokraci ke procesin e hetimit, pastaj procesin e gjykimit. Berisha mund të shkojë deri në Strasburg, por aktualisht nuk kemi asnjë fillim prove. Kjo është e tmerrshme. Sot Basha më kujton Enver Hoxhën, që thoshe e ka thënë Bashkimi Sovjetik, e ka thënë Amerika.Amerika ishte po ajo që thoshte që mund të bëhet ndarja e Kosovës."

Çfarë e pengon zotin Basha të shkojë drejt kësaj rruge, nëse ka prova dhe nëse  do t'i shkojë deri në fund betejës?

Genc Burimi: "Sepse  edhe ai është nën presion. Mbi të ka dhe një shantazh nga amerikanët. Ai është i detyruar të ndjekë amerikanët deri në fund. Po sikur Bashës t;i thonë je i korruptuar pa prova? Tani ka ndërruar strategji. Po përballet me Berishën. Këtë strategji ta kishte bërë prej kohësh. Të kishte bërë bilancin. Basha s'ka bërë asnjëherë bilanc."