Parlamenti për mbrojtjen e fëmijëve, Kushi e Nikolla kërkojnë ndihmën e tyre: Denonconi çdo rast dhune
Nga parlamenti i ri i nxënësve u vu theksi te mbrojtja e fëmijëve dhe parandalimi i rasteve të dhunës.
Ministrja e arsimit, Evis Kushi, kërkoi ndihmën e deputetëve të rinj që të adresojnë çdo rast të dyshimtë të abuzimit, për të marr masa në kohën e duhur.
"Institucionet ligjzbatuese janë të parat që reagojnë dhe patjetër që do të veprojnë për t'i dhënë dënimin e merituar kriminelëve dhe këtu unë do t'ju shtrija dorën e bashkëpunimit. Se bashku do të bëjmë më shumë kundër fenomeneve negative kundër dhunës, bullizmit dhe abuzimit me fëmijët."
Ndërsa për kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla, dhuna ndaj fëmijëve, është një turp për shoqërinë. Ajo, njësoj si kolegia e saj, Kushi, kërkon ndihmën e parlamentit të nxënësve.
"Dhuna ndaj çdo fëmije të këtij vendi, duhet perceptuar si dhunë ndaj fëmijës tim, si dhunë ndaj mua vetë. Edhe parlamenti juaj ka shumë se çfarë mund të bëj për rastet e dhunës e konflikteve që shfaqen në shkollë, për bullizmin e plotë e plotë nisma të tjera që ju mund t'i adresoni."
Duke vlerësuar punën e legjislaturës së vjetër Kushi dhe Nikolla, janë besimplota se me angazhimin e tyre, do të bëhet i mundur edhe përmirësimi i mëtejshëm në sistemin arsimor.

