"Reagim në momente të forta emocionale…", Nikolla kundër kthimit të dënimit me vdekje: Nuk parandalon

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nuk e sheh zgjidhje kthimin e dënimit me vdekje, një kërkesë e artikuluar nga qytetarët sa herë gjendemi para krimeve të rënda.

Në një koment lidhur me peticionin e iniciuar një ditë më parë nga familjarët e Mateos 8 vjeçar që u vra barbarisht nga fqinji për varjen e autorit, Nikolla e sheh si reagim në kushtet e momenteve të forta emocionale.

Nikolla: Janë momente të forta emocionale dhe në momente të forta emocionale jo gjithmonë është vendimmmarrja e duhur. Shqipëria e ka adresuar një moment të tillë, është pjesë e standardeve të BE, ka nënshkruar Konventa të caktuara dhe nuk mendoj që kthimi pas në këtë vendim do të jetë gjëja e duhur për të adresuar problemet e dhunës. Ka shumë momente të tjera që ne duhet ti adresojmë dhe do ti adresojmë që të parandalojmë fenomene të tilla. Janë vendimmmarrje që nuk duhen marrë në emocione të tilla të forta që secili prej nesh ndihet.

Deklaratën Nikolla e bëri gjatë marshimit kundër dhunës ndaj fëmijëve.