Zgjedhje të pjesshme vendore? Rama: Detyrë e Presidentit, PS është gjithmonë gati!

Gjashtë bashki të vendit janë pa kryetar të zgjedhur dhe nuk do të kenë një të tillë, derisa Presidenti të dekretojë një datë për zgjedhje të pjesshme.

Kryeministri Rama la të kuptohet se nuk do të jetë ndonjë kërkesë nga PS në Presidencë pasi siç tha ai është detyrë e Presidentit dhe Meta i di mirë detyrat e tij pavarësisht se shpesh herë bën sikur nuk i di.

Do shkoni në zgjedhje të pjesshme vendore apo do ja kurseni Lulzim Bashës në këtë pozitë të vështirë që është, ku opozita është e përçarë?

Rama: Pse nga unë varet do të shkojmë apo jo në zgjedhje vendore. Çfarë kërkese do të çojë PS në Presidencë kur kjo është detyrë e Presidentit dhe Presidenti i di shumë mirë detyrat e tij pavarësisht se shpesh herë bën sikur nuk i di.

Por a është gati PS për të garuar në 6 bashki ku nuk ka kryer nëse do ketë dekret nga Presidenti?

Rama: PS është gjithmonë gati.

Deklaratat Rama i bëri pas takimit me drejtuesit e qarqeve në selinë e PS.

I pyetur për ndryshime të mundshme në statutin e PS, Rama ironizoi zhvillimet në kampin blu.

Rama: Statuti është një fjalë që për momentin ua lëmë të tjerëve ta përdorin.