Prokurori Ndoja dëshmon në Gjykatë kundër Redjan Rrajës: Objektiv i atentatit isha unë. Tregon fotot e videot
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në gjykatë se atentati i 1 nëntorit 2019 është kryer ndaj tij për shkak të detyrës. Duke treguar foto dhe video të automjetit të prekur nga plumbat në sediljen e pasagjerit ku ishte ulur në momentin e ngjarjes, Ndoja ka pretenduar se qëllimi i autorëve ka qenë eleminimi i tij. Për këtë ngjarje të arrestuarit e vetëm janë Redjan Rraja dhe Edjol Halili, ndërkohë që nuk janë identifikuar urdhëruesit e atentatit.
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, ka dëshmuar në gjykatë në lidhje me atentatin me armë të ndodhur ndaj tij më 1 nëntor 2019 ku mbeti i vrarë shoferi, Andi Maloku.
Gjatë sqarimeve të dhëna në procesin ndaj të arrestuarit Redjan Rraja, Ndoja tha se ai ka qenë objektivi i atentatit, pasi edhe pamjet e ngjarjes e tregojnë një fakt të tillë.
Në gjykatë u ekspozuan edhe tabelat fotografike dhe videot e shenjave të plumbave në makinën e Arjan Ndojës, në sediljen e pasagjerit.

Ky i fundit, ka pretenduar se pozicioni i plumbave në automjet, tregon se autorët kanë pasur si synim ekzekutimin e tij, për shkak të detyrës.
“Arsyet se pse më kanë qëlluar e dinë autorët”, është shprehur Ndoja duke shpjeguar se nuk ka pasur asnjë shqetësim para se të ndodhte ngjarja.
Ai ka përmendur si problem vetëm deklarimet e bëra nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe në lidhje me çështjen që Arjan Ndoja përfaqësonte në gjykatën e Durrësit për abuzimet me pronat te Gjiri i Lalëzit dhe në bregdetin e Durrësit.
Ndoja tha se edhe për atë fakt është bërë kallëzim penal nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe prokurori i SPAK Edvin Kondili ka vendosur pushimin e çështjes.
Në atentatin me armë në autostradën Tiranë-Durrës më 1 nëntor 2019 mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndojës, shtetasi Andi Maloku, 30 vjeç, dhe u plagos vetë prokurori.
Në automjet bashkë me ta ndodhej edhe shtetasi Pëllumb Muharremaj me banim në Sukth, i cili njihej edhe me një emër tjetër.
Për atentatin të arrestuart deri tani janë shtetasit Redjan Rraja dhe shtetasi Edjol Halili, ndërkohë që nuk është e qartë nëse ata kanë pasur urdhërues apo janë vetë në rolin e idetatorëve dhe ekzekutorëve të krimit.